Sport Ndërkombëtar

Klubi i njohur italian rrezikon falimentimin

Me një letër të hapur dhe të publikuar në sajtin zyrtar të klubit, presidenti i Interit Stiven Zhang ka shkruar një letër për tifozët duke konfirmuar vështirësitë ekonomike për të rifinancuar kredinë që ka marrë, por gjithashtu provon që edhe të qetësojë zikaltrit për të ardhmen.

“Teksa po i afrohemi fundit të këtij sezoni fantastik dua t’ju përgjigjem të gjitha spekulimeve në lidhje me stabilitetin financiar të klubit.

Në harkun kohor të disa muajve që përkojnë me datën e skadencës së huazimit të “Oaktree” kemi bërë çdo tentativë për të gjetur një zgjidhje miqësore me partnerin tonë, duke i bërë ofertën për të cilin kishim rënë dakord për “Oaktree” për një rifinancim direkt të kredisë së tyre.

Por sforcot tona deri tani kanë gjetur kërcënime ligjore dhe mungesë përfshirjeje në këtë çështje nga ana e “Oaktree”.

E gjitha kjo është shumë stresuese dhe zhgënjyese dhe kjo sjellje është duke krijuar një situatë të rrezikshme për klubin dhe që mund të vërë realisht në risk stabilitetin për të ardhmen.

Në emër të Interit dhe në cilësinë e presidentit dua të siguroj të gjithë tifozët e Interit në të gjithë botën që do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur ngjyrat tona dhe vlerat tona që kanë në themel qëndrueshmërinë.

Do të impenjohemi për të gjetur një zgjidhje me paqe me “Oaktree” për të vazhduar rrugëtimin tonë të suksesit për Interin tonë të dashur”, shkruhet mes të tjerash në njoftimin zyrtar të publikuar nga Interi.

Pas deklaratës së Interit u prit me interes dhe vëmendje nëse do të kishte një reagim nga ana e “Oaktree”, por këta të fundit vendosën që të mos reagonin në mënyrë zyrtare.

Megjithatë, burime nga fondi i njohur bënë me dije se Stiven Zhang gabohet kur i quan kërcënime ligjore pasojat e mos pagesës së kredisë që skadon më 20 maj.

Sipas “Oaktree” gjithçka ishte e parashikuar në kontratë, se nëse Interi nuk do të arrinte dot të shlyente borxhin, atëherë klubi do të kalonte në pronësi të “Oaktree”.

Madje, thuhet se fondi në fjalë ka gati edhe një blerës për skuadrën zikaltër dhe nuk dihet nëse pas përfundimit të datës së shlyerjes së kredisë do të vendosë menjëherë ta shesë klubin për të marrë fitimet dhe përqindjen e saj sipas kontratës që kishte të përcaktuar me “Suning”.

/Shqip.com