Xavi nis stërvitjet me Barcelonën – vendos rregulla të reja

Barcelona ka filluar stërvitjet e para në menaxhimin e trajnerit të ri, Xavi Hernandez.
Në seancën e parë stërvitore të pranishëm ishin vetëm një numër i vogël i futbollistëve, pasi pjesa dërmuese e skuadrës janë ftuar me kombëtaret përkatese, shkruan Shqip.com.
Por, qysh në ditën e parë, sipas mediave spanjolle, 41 vjeçari ka vendosur disa rregulla të reja.
– Lojtarët duhet të vijnë 90 minuta para fillimit të stërvitjes dhe stafi teknik duhet të arrijë 2 orë përpara.
– Lojtarët do të hanë së bashku në qendrën sportive “Sant Joan Despi” sipas një diete të përcaktuar nga një dietolog.
– Lojtarët që vonohen në stërvitje do të gjobiten dhe sa më shumë të vonohen aq më e lartë është gjoba.
– Lojtarët që stërviten më shumë do të kenë më shumë mundësi për të luajtur.
– Lojtarët nuk do të lejohen të ngasin biçikleta elektrike pasi konsiderohet si e rrezikshme.
– Lojtarët që kryejnë aktivitete të tjera përveç futbollit nuk do të mund të udhëtojnë pa lejen e trajnerit.
– Lojtarët duhet të jenë shembull dhe duhet të tregojnë simpati ndaj tifozëve dhe duhet të distancohen nga situatat e këqija.

Katalunasit janë duke kaluar formë aspak të mirë në La Liga, ku gjenden në vendin e nëntë – me 15 pikë.
Kurse, formë të dobët po kalojnë edhe në Ligën e Kampionëve ku gjenden në vendin e dytë, me gjashtë pikë – pas katër ndeshjeve të zhvilluara.
Një problem i madh për këtë skuadër është edhe lista e gjatë e lëndimeve, pasi plot 11-të futbollistë nuk janë të disponueshëm për momentin.
Ndeshja e parë e Xavit – si trajner i blaugranëve do jetë me datë 20 nëntor, kundër Espanyolit./Shqip.com