Lajme

Vuçiqi pas takimit me Kurtin: Pa e zgjidhur problemin me Kosovën, Serbia s’mund të jetë anëtare e BE -së

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të mërkurën se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evoprian siç tha ai, pa i zgjidhur problemet me Kosovën.

Këtë deklaratë e bëri në Slloveni, ku këtë të mërkurën po mbahet Samiti i udhëheqësve të Bashkimit Evropian me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Lexo edhe:
Kurti e Vuçiq takohen në Slloveni, prezentë do të jenë edhe Merkeli e Macroni

Gjatë këtij samiti, Vuçiqi zhvilloi takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në prezencë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Vuçiqi nuk dha detaje për temat e diskutimit të këtij takimi, por tha se i ka shtruar një pyetje Kurtit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi në Bruksel

“Në një pyetje që i shtrova Kurtit, Macroni e kuptoi shumë mirë. Në fakt e kuptojnë të gjithë”, tha Vuçiqi, duke mos dhënë më shumë detaje.

“Pa zgjidhje të problemit me Kosovën, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së. Këtu nuk ka asnjë dyshim. Tash a duhet të njohim apo jo, këtë nuk mund ta them, pasi nuk ma ka kërkuar askush. Ndoshta mund të flitet korridoreve, por mua nuk ma ka kërkuar askush”.

Shqip.com ka kontaktuar edhe me zyrtarë në Qeverinë e Kosovës për të kuptuar se çka u diskutua në këtë takim, por të njëjtit janë shprehur se nuk janë në dijeni, pasi sipas tyre, takimet në Slloveni po mbahen të mbyllura./SHQIP.com