Lajme

Vuçiq thotë se nuk pati tensione në Procesin e Bërdo-Brionit por vetëm qëndrime të ndryshme për Kosovën

Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë

Pas samitit të Procesit Brdo-Brioni, i cili po mbahet në Slloveni, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq iu drejtua publikut.

Vuçiq, para gazetarëve tha se nuk pati tensione por se presidentët e shteteve ballkanike kishin dallime në qëndrime dhe se sipas tij këto nuk janë tensione.

”Bisedimet kanë shkuar normalisht, nuk ka pasur tensione. Qëndrimi ynë rreth Kosovës është i ndryshëm nga qëndrimi i vendeve të tjera, me përjashtim të përfaqësuesve serbë në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha ai, raporton B92.

Në anën tjetër, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se i ka ofruar mbështetje të plotë dialogut Kosovë-Serbi, si e vetmja mënyrë për paqe, siguri dhe progres në rajon.

Lexo edhe:
Begaj nga Sllovenia: Dialogu Kosovë-Serbi e vetmja mënyrë për paqe dhe siguri në rajon

E pranishme është edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila në rrjetin esaj zyrtar në Facebook, deri tani ka publikuar vetëm një video nga takimi i sotëm.

Përveç nikoqirit të takimit, presidentit slloven, Borut Pahor, po marrin pjesë edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiq.

Çka është Procesi i Bërdo-Brionit?

Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë.

Qëllimi i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në Bashkimin Evropian./Shqip.com