Lajme

Begaj nga Sllovenia: Dialogu Kosovë-Serbi e vetmja mënyrë për paqe dhe siguri në rajon

Procesi i Brdo-Brioni në Slloveni

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po merr pjesë në takimin e liderëve të procesit të Bërdo-Brionit në Slloveni.

Nga atje, Begaj ka thënë se i ka ofruar mbështetje të plotë dialogut Kosovë-Serbi, si e vetmja mënyrë për paqe, siguri dhe progres në rajon.

“Një rrugë e përshpejtuar e afrimit me BE-në është e domosdoshme tashmë. Mbështetje të plotë dialogut Kosovë-Serbi, si e vetmja mënyrë për zgjidhje të qëndueshme dhe që i shërben paqes, sigurisë dhe progresit në rajon”, ka shkruar presidenti në Facebook.

E pranishme është edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani  krahas presidentëve të shteteve të rajonit.

Temat që u diskutuan në këtë takim përfshijnë perspektivën e integrimit evropian për vendet aspiruese të Ballkanin Perëndimor, të cilat i përmbushin kushtet për integrim dhe të cilat i bashërendojnë politikat me ato të Bashkimit Evropian, tejkalimin e sfidave të përbashkëta si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, përfshirë krizën energjetike dhe sigurinë ushqimore; si dhe përkushtimin për demokraci, paqe dhe dialog.

Përveç nikoqirit të takimit, presidentit slloven, Borut Pahor, po marrin pjesë edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiq.

Çka është Procesi i Bërdo-Brionit?

Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë.

Qëllimi i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në Bashkimin Evropian./Shqip.com