Lajme Ballkan

Vuçiq për Ballkanin e Hapur në Samitin e Demokracisë: Me këtë krijohen kushte për vlera demokratike

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, në Samitin për Demokraci, ka folur për “Ballkanin e Hapur”, duke thënë se me këtë iniciativë krijohen kushte për përforcimin e të gjitha vlerave demokratike, përcjell Shqip.com.

Teksa foli për Ballkanin e Hapur, Vuçiq gjatë fjalimit të tij theksoi se Samiti për Demokraci është mundësi reale për të vënë në dukje nevojën për trajtim të barabartë të të gjithë njerëzve.

“Serbia ka lansuar iniciativën Ballkani i Hapur me miqtë tanë në Ballkan, ku jam i bindur se me promovimin e lëvizjes së lirë, krijon kushte për përforcimin e të gjitha vlerave demokratike. Parimi ynë është se askush nuk duhet të lihet jashtë në ushtrimin e të drejtave dhe lirive themelore.

Prandaj, Samiti për Demokraci është një mundësi reale për të vënë në dukje nevojën për trajtim të barabartë të të gjithë njerëzve dhe grupeve fetare në rajon me qëllim forcimin e mëtejshëm të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës, që është një parakusht për krijimin e një Ballkani Perëndimor edhe më të suksesshëm, të orientuar drejt së ardhmes”, tha ai.

Sipas tij, Serbia është e përgatitur dhe e përkushtuar që të jetë partner i Shteteve të Bashkuara të Amerikës tani dhe në të ardhmen, duke shpalosur edhe një iniciativë për të drejtat e romëve si një pakicë në Ballkan.

“Shfrytëzoj këtë mundësi për të shpallur një iniciativë të re, e cila besoj se mbështetet nga liderë të tjerë në Ballkanin Perëndimor. Së bashku ne duhet të përshpejtojmë përfshirjen e romëve. Ne duhet të investojmë në romët që janë demografikisht aktivë, të pasur me sipërmarrje dhe komunitet shumëgjuhësh, dhe që ishin më të përjashtuarit nga ecuria e progresit dhe më të prekurit gjatë COVID- 19”, shtoi ai.

Po ashtu, presidenti serb deklaroi se shteti i tij është “i përkushtuar plotësisht në vlerat evropiane” dhe se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është prioritet kyç.

“Shteti ynë vazhdimisht po punon që të forcojë një shoqëri demokratike ku të gjithë qytetarët kanë të drejta të barabarta dhe mundësi për të zhvilluar potencialin e tyre në të gjitha aspektet, kulturore, politike, sociale dhe ekonomike. Jemi të përkushtuar për ta luftuar korrupsionin, të fokusuar në rezultate konkrete për të drejtat e njerëzve”./SHQIP.com