Lajme

Obradovic kërkon nga Vuçiq që të vë në gatishmëri ushtrinë pas reciprocitetit me targa

Kryetari i Lëvizjes serbe “Dveri”

Kryetari i Lëvizjes serbe “Dveri”, Bosko Obradovic, ka kërkuar nga qeveria serbe të vë në gatishmëri ushtrinë dhe policinë pas aplikimit të reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës lidhur me targat e veturave, transmeton Shqip.com.

Sipas tij, qeveria serbe duhe të anulojë të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Brukselit dhe t’i jap fund dialogut aktual me autoritetet në Prishtinë, dhe të vazhdojë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Askush nuk dëshiron një luftë dhe gjithçka duhet bërë për të kapërcyer paqen, por ne nuk duhet të lejojmë asnjë vuajtje të re të serbëve në Kosovë dhe Metohi,” tha Obradovic, raporton nova.rs.

Tutje, ai deklaroi se Qeveria e Serbisë duhet të kërkojë kthimin deri në një mijë anëtarëve të stafit shtetëror serb në Kosovë, e cila është parashikuar me Rezoluën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kryetar i lëvizjes Dveri vlerësoi gjithashtu se negociatat e mëparshme në Bruksel ishin “vetëm në dëm të popullit serb”.

Ndryshe, të hënën, Qeveria e Kosovës filloi së zbatuari reciprocitetin me targat e Serbisë, duke bërë kështu që çdo veturë që hyn në Kosovë, t’i vendos tabelat e përkohshme.

Në shenjë pakënaqësie për këtë, disa qytetarë serb në komunat veriore të Kosovës, kanë bllokuar rrugën duke mos lejuar kështu të kalojë rrugën asnjë veturë.

Lidhur me këtë, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në pikën kufitare në Jarinjë për ta zbatuar reciprocitetin me Serbinë për targat.

Ndaj këtyre zhvillimeve ka pasur diskutime të hënën edhe në Kuvendin e Kosovës, ku sipas opozitës “kryeministri Kurti po bën show”./Shqip.com