Lajme Ballkan

Vuçiq flet për miratimin e rezolutës për Srebrenicën dhe vizitën e gjeneralit Clark në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar rreth zhvillimeve të sotme në Kosovë. Ai foli për miratimin e rezolutës për gjenocidin serb në Srebrenicë nga deputetët në Kuvendin e Kosovës, për qëndrimin e Zëvendës-Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer mbi formimin e Asociacionit të Komunëve me Shumicë Serbe, por edhe për vizitën në Kosovë të komandantit amerikan të NATO-s gjatë bombardimeve më 1999, Wesley Clark.

Vuçiq tha se rezoluta të tilla do të vazhdojnë për ta sulmuar Serbinë.

“Siç kam deklaruar dhjetë ditë më herët, kur një Rezolutë e tillë u miratua në Parlamentin e Malit të Zi, se do të ketë vërshime rezolutash kundër Serbisë në shumicën e parlamenteve në rajon, ku secili mundet që qartësisht të shprehet se serbët kanë kryer gjenocid për ta sulmuar Serbinë”, tha ai.

“Rezoluta të tilla do të vazhdojnë. Ne mund t’i shmangim ato në disa parlamente, falë marrëdhënieve miqësore, por disa do të vazhdojnë me abuzimin politik të serbëve”, u tha Vuçiq gazetarëve gjatë një vizite në një spital të Beogradit.

Vuçiq më tej u shpreh mirënjohës ndaj Matthew Palmer dhe zyrtarëve të Ambasadës së Amerikës në Kosovë “për këmbënguljen në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

“Nuk jam i sigurt se dikush do të dëshirojë ta dëgjojë atë në Prishtinë. Ata nuk janë të interesuar për këtë”, tha më tej Vuçiq.

Derisa për ardhjen e gjeneralit amerikan, Wesley Clark në Prishtinë, Vuçiq tha se nuk do të komentojë fare për këtë çështje.

Sipas tij, Kosova nuk do të arrijë të bëjë ushtri të fortë.

“Ata kanë pushtet de facto në tokë atje dhe po ngacmojnë serbët në tokë, por nëse më thoni që ata do të bëjnë një ushtri të fortë, është aq e dobët në raport me ne … Ata kanë burime njerëzore dhe asgjë më shumë”, tha Vuçiq. /Shqip.com