Lajme

Vuçiç ka aleat vetëm…Dodikun!

Sa herë që Aleksandar Vuçiç tenton të nxjerrë “dhëmbët” dhe të kërcënojë me ushtrinë e tij Kosovën, po aq herë zbythet me “bisht ndër shalë”. Po të ishte në dorën e tij, jo vetëm do shkaktonte konflikt të armatosur në Kosovë, por tendenca do të ishte për të destabilizuar të gjithë rajonin. Nga ish-zëdhënësi dhe ministri i “kasapit” të ballkanit, Sllobodan Millosheviç, pritet vetëm e keqja.

Ekzekutimi i tre terroristëve serbë në Banjska pa asnjë dyshim që ka shqetësuar Vuçiçin, kjo pasi ai nuk e ka pritur kurrë që plani tij për të aneksuar veriun e Kosovës do të dështonte në mënyrë kaq spektakolare.

Vuçiç nuk e ka besuar asnjëherë se njësia speciale e policisë së Kosovës (ROSU) do të reagonte me aq profesionalizëm dhe gjakftohtësi vetëm orë pasi rreshteri Afrim Bunjaku do të vritej nga breshëria e terroristëve që kishte stërvitur Beogradi për luftë. Ushtarët e Vuçiç duke u kacavjerrë maleve nga sytë këmbët për t’i shpëtuar vdekjes, janë momente që shqiten lehtë nga memoria e kujtdo. Për Vuçiç ky është një lloj kapitullimi.

Në trurin e tij mund të ketë sot 100 skenare si e si ta shndërrojë Ballkanin Perëndimor në “fuçi baruti”.

Por fatmirësisht në ëndrrat djallëzore, Vuçiç është krejt i vetëm. Nuk ka asnjë faktor politik vendor, rajonal apo më gjerë që t’i ofrohet në formën dhe ta garantojë për veprime të mëpashme destabilizuese duke i “rrahur shpatullat”. Është rrekur jo pak të gjejë aleatë të fortë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por deri më tash ka dështuar çdo përpjekje e tij. Nuk mund të mohohet aspak se fryma që kërkon të emetojë Vuçiç te qarqet e tij naciconalisto-ekstremiste është ajo e plaftormës së hershme serbe “Naçertania”, me synim aneksimin e Shqipërisë së Veriut territor ky i cili së bashku me Kosovën do të pagëzoheshin “Serbi e Vjetër”.

Të njëjtës filozofi i përkiste edhe ideologu serb, Vaso Çubrilloviç i cili të gjithë krijimtarinë dhe studimet e tij i kryente me qëllim zhdukjen e shqiptarëve. Kjo është ëndrra jo prej disa dekadash, por shekullore e liderve serbë e cila trashëgohet brez pas brezi. Doktrinat serbe janë konkrete dhe të qarta kristal. Nuk është i nevojshëm studimi i thelluar për t’i kuptuar ato, janë të lexueshme ditën për diell.

Megjithatë, lajm i mirë është që Vuçiç nuk ka mbështetje në rajon. I vetmi partner në qasjen e tij esktremiste dhe shoviniste është Milorad Dodik, udhëheqësi destruktiv i serbëve të Bosnjës (lexo Republika Srpska). Por edhe ky është i izoluar ndërkombëtarisht prej sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe vetë Vuçiç është non grata nga Britania e Madhe. Nuk ka as simpatinë e Gjermanisë apo të Italisë, por as të Francës që kaherë ka ndjekur politika pro-sllave dhe mirëfilltazi anti-shqiptare.

Flirtet e herëpashershme të Vuçiç me udhëheqësit e Malit të Zi nuk kanë gjetur baza të shëndosha. Jo pa qëllim, presidenti malazez Millatoviç ia “përplasi derën” në fytyrë Vuçiç kur i tha se nuk ka tërheqje nga pavarësia e Kosovës. Kështu që, me aleat Dodikun, Vuçiç me vështirësi shkon deri në Banja Luka.

Prandaj edhe, kërcënimet e tij janë si ato të një “tigri prej letre”. Sjellje dëshpëruese në kushtet e një braktisje të madhe nga faktori ndërkombëtar. Aq sa nuk i vjen dot në ndihmë as “vëllai i madh”, Vladimir Putin, jo vetëm se është larg, por edhe prej telasheve në Ukrainë!

/Shqip.com