Lajme

Vritet 1 dhe arrestohen 4 nga grabitësit e argjendarisë në Suharekë

Një nga grabitësit që mësyu në argjendarinë në Suharekë 8 ditë më parë, është ekzekutuar nga policia në një shkëmbim zjarri gjatë pasdites së sotme në Prishtinë.

Pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së dëshmive, policia ka zhvilluar një aksion për të neutralizuar grupin e grabitësve të dhunshëm në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë.

Gjatë operacionit policor janë kontrolluar shtatë lokacione të ndryshme, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve dhe oficerët janë dashur që në vetëmbrojtje të përdorin armët për të neutralizuar një prej grabitësve.

Po ashtu janë arrestuar katër të dyshuar të tjerë, ndërsa më parë ishin prangosur tre persona të dyshuar për dhënien e ndihmës në kryerjen e veprës penale të grabitjes.

Dy prej tyre ndodhen aktualisht në paraburgim, ndërsa një tjetër u lirua në procedurë të rregullt.

‘Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor’, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë bëhet me dije në komunikatën për shtyp se nga shkëmbimi i zjarrit me grabitësit gjatë ditës së sotme ka mbetur i lënduar një oficer i policisë, të cilit i është ofruar ndihma mjekësore në SHSKUK, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

‘Si rezultat i hetimeve të pandërprera fillimisht ishin arrestuar tre persona të dyshuar për ndihmë në kryerje të veprës penale të grabitjes, përderisa hetimet drejt identifikimit dhe ndriçimit të rastit kanë vazhduar deri më sot, kur edhe është realizuar operacioni policor. Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor’, thuhet në njoftim.

KOMUNIKATË E PËRBASHKËT PROKURORI-POLICI

Prishtinë, më 30 nëntor 2023

Lidhur me rastin e grabitjes së armatosur të ndodhur me datën 22.11.2023 në Suharekë, ku të dyshuarit gjatë grabitjes kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka vazhduar hetimet intensive, me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar.

Si rezultat i hetimeve të pandërprera fillimisht ishin arrestuar tre persona të dyshuar për ndihmë në kryerje të veprës penale të grabitjes, përderisa hetimet drejt identifikimit dhe ndriçimit të rastit kanë vazhduar deri më sot, kur edhe është realizuar operacioni policor.

Pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së dëshmive, sot në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë është realizuar operacioni policor i cili ka përfshirë kontrollin në shtatë lokacione të ndryshme, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar.

Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar. Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor.

Zyrtarit policor i është ofruar ndihma mjekësore në SHSKUK, ku sipas informatave të para nga mjekët kompetentë i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.

Vlen të potencohet se personat e dyshuar kanë të kaluar kriminale me dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale si: vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje etj.

Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente.

/Shqip.com