Lajme

Vrasja në QKUK, reagojnë nga Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në oborrin e QKUK-së. Një grua ka vdekur pasi është vrarë nga ana e një burri.

Lidhur më këtë ngjarje, ka reaguar edhe ushtruesja e detyrës së Ministrisë së Shëndetësisë, Dafina Gexha.

“Plumba mbi një grua – burim i jetës, që nuk e lanë të bëhet nënë. Plumba që shuan një jetë që sapo po zinte fill. Në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë ku gruaja po priste të bëhet nenë! Si për ironi të fatit, si sot para 17 vitesh, isha vet e shtruar po në këtë klinikë, që të nesërmen të lindja fëmijën tim të parë, fat që kësaj gruaje ia morën plumbat e shkrepur nga ky burrë mizor. E tronditur, sa mezi po shkruaj, shpreh indinjatën më të thellë për këtë rast makabër. Ju bëjë thirrje organeve relevante që të veprojnë pa kompromis. Familjarëve e të afërmeve ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Qëndroj pranë e solidarizohem edhe me punonjësit shëndetësor e gratë e shtruara në këtë klinikë që ky akt makabër i ka tronditur. Si një grua dhe nënë e dy vajzave, si mjeke, nuk dua që ato e asnjë grua e vajzë tjetër të ndihen të pasigurta në shoqërinë tonë. Për këtë do të angazhohem me të gjitha forcat që kam”, thuhet në reagimin e Gexhës.

Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar edhe burri i motrës së gruas së vrarë.

Regjep Brahimi, ka deklaruar se për mosmarrëveshjen midis burrit dhe gruas së vrarë e dinte edhe Policia e Kosovës.

Më tutje, Brahimi ka thënë se çifti kanë qenë të martuar katër muaj, por që për shkak të mosmarrëveshjeve janë ndarë.

“Ka qenë e martuar në Godancë, ka qenë e martuar rreth katër muaj, ka pasur mosmarrëveshje, polica e dinte për mosmarrëveshjen”, tha ai për Kosovapress.

Lidhur me këtë, nesër (e enjte) në Prishtinë pritet të organizohet protestë. Kjo protestë, organizohet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe nis nga ora 16:00.

Protesta organizohet në Sheshin “Zahir Pajaziti”. Lidhur më këtë ngjarje për Shqip.com nga Policia e Kosovës kanë dhënë detaje lidhur me rastin.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje”, ka thënë Flora Ahmeti për Shqip.com.

Po ashtu, Ahmeti ka bërë të ditur se aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim  sqarimin e plotë të ngjarjes.

/Shqip.com