Lajme

Vrasja në Llaushë: Iniciohet procedurë disiplinore ndaj prokurores Kasaloviq

Ilustrim

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj prokurores Stojanka Kasaloviq.

Kasaloviq ka qenë prokurore kujdestare më 1 janar kur e ndjera, Lirije Qerimi kishte raportuar në polici dhunën fizike të bashkëshortit të saj, Skender Qerimi nga Llausha e Skenderajt.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njofton opinionin publik se pas kërkesës së Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Ismet Ujkani, pas analizimit të gjitha shkresave të lëndës dhe konform Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurores S.K., lidhur me rastin e viktimës L.Q., nga Llausha e Skenderajt”, thuhet në njoftim.

Prokurorja e rastit, Stojanka Kasaloviq

E ndjera, Lirije Qerimaj, rastin e dhunës e kishte raportuar më 1 janar, por prokurorja e rastit e kishte liruar të dyshuarin me procedurë të rregullt, teksa rastin e kishte cilësuar “Dhunë në familje”.

Katër ditë më vonë, Skender Qerimaj dyshohet ta ketë vrarë bashkëshorten e tij, në shtëpi.

E ndjera, dyshohet se kishte përjetuar dhunë fizike dhe psikike edhe në të kaluarën nga bashkëshorti i saj./Shqip.com