Lajme

Von Cramon-Borrellit: BE-ja duhet t’i mbështetë shtetet që e luftojnë krimin dhe korrupsionin

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon

“Bashkimi Evropian duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin”.

Kështu ka deklaruar Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, derisa i ka reaguar përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Ky i fundit duke folur për aksionin në Veri të Kosovës për kontrabandën e mallrave, i quajti veprimet e Policisë së Kosovës “të pakontrolluara dhe të njëanshme”, duke thënë se “mund ta rrezikojnë stabilitetin në rajon”.

Von Cramon i ka sugjeruar Borrellit që t’i kritikojë ato vende të cilat nuk implementojnë sundimin e ligjit.

I dërguari i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell

“Ju lutem kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin”.

“Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Për deklaratën e Borrellit ka reaguar edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, sipas të cilit, BE-ja po e tregon edhe një herë “paaftësinë” e saj në lidhje me Kosovën.

“Përsëri BE-ja tregoi paaftësinë e saj në lidhje me Kosovën. Borrell de facto, duke i kërkuar policisë të mos dalë kundër kontrabandistëve, nëse do të kishte marrë mundimin të njihej me realitetin në veri të Kosovës, do të kishte ditur se veriu drejtohet nga banda kriminale dhe nuk është kurrë herët për të dalë kundër tyre. Pra, edhe nëse është reagimi i dhunës, ai duhet ta lavdërojë atë”, ka shkruar ish-ambasadori në Facebook./SHQIP.com