Ish-ambasadori holandez për deklaratën e Borrellit: BE-ja sërish tregoi paaftësinë e saj
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, i ka reaguar përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili të mërkurën duke folur për aksionin në Veri të Kosovës, i quajti veprimet e Policisë së Kosovës “të pakontrolluara dhe të njëanshme”, duke thënë se “mund ta rrezikojnë stabilitetin në rajon”.
Sipas Bosch, BE-ja po e tregon edhe një herë “paaftësinë” e saj në lidhje me Kosovën.
Në një postim në Facebook, ka shkruar se Veriu i Kosovës drejtohet nga banda kriminale dhe siç ka thënë ai, nuk është kurrë herët për të vepruar kundër tyre.
“Përsëri BE-ja tregoi paaftësinë e saj në lidhje me Kosovën. Borrell de facto, duke i kërkuar policisë të mos dalë kundër kontrabandistëve, nëse do të kishte marrë mundimin të njihej me realitetin në veri të Kosovës, do të kishte ditur se veriu drejtohet nga banda kriminale dhe nuk është kurrë herët për të dalë kundër tyre. Pra, edhe nëse është reagimi i dhunës, ai duhet ta lavdërojë atë”, ka shkruar ish-ambasadori.
Në pjesën veriore të Kosovës pati tensione gjatë së mërkurës, pasi Policia e Kosovës ndërmori një operacion kundër kontrabandës së mallrave.
Sipas PK-së, në këtë aksion janë sekuestruar mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”.
Gjatë këtij aksioni janë arrestuar tetë persona të dyshuar për kontrabandim me mallra dhe 10 të tjerë janë shpallur në kërkim policor.
Derisa 10 zyrtarë policorë, shtatë prej tyre shqiptarë dhe tre serbë, kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme drejt policisë.
Në aksionin e zhvilluar në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Veriut si dhe në Zveçan janë bastisur 26 lokacione. /Shqip.com