Lajme

Vjen reagimi nga Prokuroria: Kemi kërkuar angazhimin e një psikologu, nuk na është plotësuar asnjëherë

Prokuroria Themelore në Prishtinë
Prokuroria Themelore në Prishtinë

Prokuroria Themelorë në Prishtinë ka reaguar ndaj deklaratave të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Në reagimin e Prokurorisë thuhet se Prokuroria Themelore në Prishtinë siguron edhe njëherë opinionin publik se trajtimi i rastit të 11 vjeçares nga ana e Prokurorit të Shtetit është bërë konform të gjitha dispozitave ligjore.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë siguron edhe njëherë opinionin publik se trajtimi i rastit të 11 vjeçares nga ana e Prokurorit të Shtetit është bërë konform të gjitha dispozitave ligjore të cilat janë ndërmarrë në kohë dhe në mënyrë profesionale, në koordinim me institucionet e tjera relevante, andaj, për ne janë të pabaza dhe të papranueshme deklarata të tilla publike” thuhet fillimisht në reagim.

Lexo edhe:
Haxhiu kërkon shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës

Më tutje nga kjo Prokurori thonë se ata kënë kërkuar angazhimin e një psikologu pranë kësaj prokurorie, në trajtimin e çështjeve penale, sidomos atyre për të mitur, por që kjo kërkesë nuk është marrë parasysh.

“Në vazhdën e kërkesave të kësaj prokurorie drejtuar organeve ekzekutive ka qenë kërkesë esenciale angazhimi i një psikologu pranë kësaj prokurorie, në trajtimin e çështjeve penale, sidomos atyre për të mitur, e cila kërkesë nuk është aprovuar asnjëherë me arsyetimin se nuk ka mjete buxhetore për ta mbuluar të njëjtën kërkesë”, thuhet më tutje në reagim.

Theksojmë se Prokurori i Shtetit ka vazhduar të trajtojë raste të tilla penale dhe do të mbetet i përkushtuar për përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë rast dhe të gjitha rastet e tjera të cilat i ka në trajtim, gjithmonë duke e ruajtur ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë institucionale, është thënë më tutje në reagim./Shqip.com