Art Jetese

Vitamina D mund të ulë rrezikun e diabetit

Vitamina D

Vitamina D mund të përmirësojë ndjeshmërinë ndaj insulinës, duke ulur kështu nivelet e glukozës në gjak dhe akoma më tej rrezikun e diabetit të tipit 2.

Studimi i publikuar në revistën shkencore North American Menopause Society, jep fakte që provojnë lidhjen e fortë mes vitaminës D dhe rrezikut të diabetit të tipit 2.

Ekspertët analizuan të dhënat e 680 grave nga mosha 35 deri në 74 vjeç.

24 prej tyre merrnin suplementë të vitaminës D por edhe kishin ekspozim të rregullt në diell.

Të 24 gratë kishin nivele më të ulëta të glukozës në gjak.

Çfarë shkakton mungesa e vitaminës D në organizëm?

Mungesa e zgjatur e vitaminës D shkakton çrregullime të masës minerale të kockave dhe fraktura tek fëmijët dhe të rriturit.

Mungesa e kësaj vitamine, nxit problemet me kockat, muskujt dhe shkakton dhimbje të gjymtyrëve.

Pamjaftueshmëria e vitaminës D mund të kontribuojë edhe në shfaqjen e osteoporozës.

Ilustrim, vitamina

Studime të shumta e kanë lidhur mungesën e vitaminës D me depresionin, sëmundjet e zemrës, çrregullimet imunitare, infeksionet dhe shtimin e qelizave të dëmshme.

Shkencëtarët thonë se mungesa e kësaj vitamine nuk i shkakton këto sëmundje por është një nxitës biologjik për disa procese inflamatore të lidhura me sëmundjet.

Burimet e vitaminës D

Njeriu e merr pjesën më të madhe të vitaminës D nëpërmjet rrezeve të diellit.

Kur këto rreze, sidomos ato të mesditës, bien në kontakt me lëkurën, nxisin prodhimin e vitaminës D.

Njerëzit që jetojnë në vende me klimë të ngrohtë me shumë diell, përfitojnë më shumë se sa ata që jetojnë në vende të ftohta pa diell.

Vitaminën D mund ta marrin edhe nëpërmjet disa ushqimeve.

Bëhet fjalë për ushqime të fortifikuara ose të pasuruara siç janë qumështi dhe drithërat apo tek peshqit.

Sa vitaminë D duhet të marrë një i rritur?

Në përgjithësi, të rriturit duhet të konsumojnë 600 njësi të vitaminës D në ditë, pra rreth 15 mikrogramë.

Të moshuarit mbi moshën 70 vjeç duhet të konsumojnë 800 njësi të kësaj vitamine në ditë, pra rreth 20 mikrogramë.

/Shqip.com