Lajme

(VIDEO) Vetëvendosje: Në Kosovë terminalet kanë qenë në pronësi private e të lidhura ngushtë me politikën

Lëvizja Vetëvendosje sikurse javën e kaluar edhe këtë javë ka hedhur akuza në drejtim të Qeverive të kaluara.

Kësaj radhe përmes një video të publikuar gjatë ditës së sotme, Vetëvendosje ka thënë se në të kaluarën terminalet doganore kanë qenë në pronësi private të lidhura ngushtë me politikën.

“Në Republikën e Kosovës terminalet kanë qenë në pronësi private e të lidhura ngushtë me politikën. Me Qeverinë Kurti ka filluar kthimi i terminaleve në pronësi shtetërore, ku përfitues janë qytetarët dhe Republika” thuhet në videon e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas Vetëvendosjes terminalet tjera janë dhënë në pronësi në këmbim të votës.

“Margarita Kadriu ka fituar terminal në këmbim të votës për zgjedhjen e Hashim Thaçit president. Një fat të ngjashëm kanë pasur edhe terminalet e tjera. Pos Margarita Kadriut, terminal kanë edhe djemtë e Isa Mustafës, terminal ka edhe Sami Lushtaku dhe Devollët” thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Vetëvendosje thotë se Qeveria Kurti ka filluar rikthimin e terminaleve në shtet prej nga nga do të përfitojë republika.

“37 milionë euro i kanë përvetësuar për 1 vjet vetëm prej 10 terminaleve. 370 milionë euro për 10 vjet prej këtyre terminaleve. Qeveria Kurti ka filluar kthimin e terminaleve në shtet prej nga do të përfitojë republika” thonë nga VV-ja.

Qeveria Kurti ia ka kthyer shtetit terminalet e privatizuar përmes pazareve, fitimin që disa nga familjet e kanë nxjerrë prej shtetit tash e merr shteti thuhet më tutje në videon e publikuar nga Vetëvendosje.

Për të gjitha vjedhjet në këto terminale nga Vetëvendosje kanë thënë se duhet dhe se do të vendoset drejtësi.

/Shqip.com