Lajme “Asnjë zyrtar i LV-së nuk e ka askënd aty dhe ato që janë publikuar janë shpifje për të cilat janë bërë ankesat dhe do të bëhen paditë përkatëse ditëve në vijim", ka thënë zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka

Vetëvendosje: Nuk jemi të përfshirë në punësime partiake

Lëvizja Vetëvendosje
Lëvizja Vetëvendosje

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, deklaroi se ky subjekt politik nuk është i përfshirë në punësime partiake.

Për punësimet e reja në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Manxhuka tha se asnjë zyrtar i VV-së nuk e ka askënd të punësuar aty.

Ndërsa, paralajmëroi padi për personat që deklaruan se VV-ja ka punësuar militantë.

“Asnjë zyrtar i  LV-së nuk e ka askënd aty dhe ato që janë publikuar janë shpifje për të cilat janë bërë ankesat dhe do të bëhen paditë përkatëse ditëve në vijim. Përpjekja e klubit të stërvjetëruar politik është që ta bëjë LV-në si ta, por kjo gjë është e pamundshme. 14 shkurti 2021 është përcaktim i qartë: ndërmarrjet publike do të zhvillohen dhe koha e zhvatjes së tyre ka përfunduar”, ka shkruar Manxhuka.

Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka

“Në anën tjetër, ata që kanë shkatërruar secilën ndërmarrje publike akuzojnë LV-në për punësime. Lëvizja njofton opinionin publik se nuk është e përfshirë në punësime partiake dhe se ka qenë gjithnjë kundër praktikave të punësimit me kriter përkatësinë politike”, vijon më tej shkrimi.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në lidhje me punësimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Lexo edhe:
LDK-ja dorëzon kallëzim penal në prokurori për punësimet në KEK

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj, tha se partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka punësuar mbi 100 persona në KEK, që sipas tij, janë të afërm të anëtarëve të kësaj partie./Shqip.com