Veteranët paralajmërojnë vendosjen e tendave para Kuvendit: Do të rrimë ditë e natë derisa ky pushtet të reflektojë
Protestuesit e Organizatës së Veteranë të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë thënë se do të qëndrojnë edhe me tenda në rast se nuk reflekton Qeveria.
Kështu tha sekretari Organizativ i OVL e UÇK-së, Faton Klinaku.
“Do të organizojmë protesta vazhdimisht, një prej opsioneve është që të dalim këtu me tenda dhe të rrijmë ditën e natën derisa ku pushtet të marr vesh”, tha Klinaku.
Ai ka kërkuar që protestuesit të vazhdojnë të jenë të qetë dhe të mos konfrontohen me Policinë e Kosovës.
“Policia e mban rendin dhe qetësinë, nuk kemi nevojë të konfrontohemi me policin”, ka thënë Klinaku.
Theksojmë se protesta është duke vazhduar ndërsa protestuesit kanë hyrë në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
Në anën tjetër, në Kuvend pati nisur seanca por e njëjta u bllokua nga partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK. Bllokimi i seancës u bë si pasojë e protestës që po mbahet në oborrin e Kuvendit.
Protestës i është bashkuar edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, dhe deputetët nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj dhe Shkumbin Demalija./Shqip.com