Lajme

Veriu, sot i ulë në tryezë Kurtin e Vuçiqin në Bruksel

Takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen të enjten në Bruksel për herë të tretë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

Takimi do të nis në ora 10:30.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Zoi Muletier ka bërë të ditur për Shqip.com se gjatë takimit do të synohet “zbutja e tensionit aktual në terren”.

Pra, fokusi i këtij takimi do të jetë ta shtyej përpara çështjen e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit.

Lexo edhe:
Një vit pas, takimi Kurti-Vuçiq synon zbutjen e tensioneve në terren

Në këtë takim do të marr pjesë edhe emisari special evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Situata është tensionuar në veri të Kosovës, për shkak të masave të reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë.

Të mërkurën, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka zhvilluar takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiq në Bruksel.

Stoltenberg tha se NATO në Kosovë është prezente me mbi 4 mijë trupa dhe janë të angazhuar për të parandaluar eskalimin e situatës.

Sekretari i NATO-s shtoi se forcat e NATO-s do të ndërhyjnë aty ku ka nevojë, nëse situata përshkallëzohet.

“NATO është në Kosovë me mbi 4 mijë trupa kjo demonstron angazhim për paqe dhe stabilitet në Kosovë. Ne do të përmbushim mandatin e OKB-së në Kosovë. Pjesëtarët e NATO-s janë të pajisur dhe të ushtruar mirë. Ne kemi dëshmuar që ne mund rrisim patrullimet në veri dhe të rrisim numrin e pjesëtarëve. Veprimet tona do të jenë proporcionale dhe do të bëjmë çfarë është e mundur që të parandalojmë eksalimin e situatës”, tha Stoltenberg.

Në anën tjetër, Kurti ka falënderuar NATO-n për angazhimin e saj në Kosovë, derisa ka kërkuar anëtarësim në këtë aleancë.

“Ne kërkojmë anëtarësimin në NATO dhe kjo do të na mundësojë që të japim atë që shtetet tjera na kanë dhënë neve si qytetarë”, ka thënë ai.

Lexo edhe:
Çka në rast përshkallëzimi? Stoltenberg: Mund të dërgojmë më shumë trupa në Kosovë

Ndërsa, gjatë takimit me Vuçiq, Stoltenberg kërkoi që si Kosova edhe Serbia t’i ulin tensionet.

“U bëj thirrje të gjitha palëve që t’i ulin tensionet. KFOR do të marrë çdo masë të nevojshme në mënyrë që të sigurojë paqen, sigurinë dhe lëvizjen e të gjithë qytetarëve në Kosovë”, kishte thënë Stolenberg, gjatë takimit me Vuçiq.

Ndërsa deklarata e presidenti Serb, pas takimit ishte se e respektojnë dhe është i rëndësishëm roli i NATO-s, për ta./Shqip.com