Lajme

Një vit pas, takimi Kurti-Vuçiq synon zbutjen e tensioneve në terren

Takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell dhe emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të takohen më 18 gusht me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim tjetër të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel.

Takimi i tretë në nivel të lartë të dialogut Kosovë-Serbi është planifikuar të fillojë në ora 10:30.

Aplikimi i masave të reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë ngriti tensione në veri të vendit.

E për këtë, Zëdhënësja e BE-së, Zoi Muletier tha për Shqip.com se gjatë takimit do të synohet “zbutja e tensionit aktual në terren”.

Në anën tjetër, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të mërkurën do të zhvillojnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiq në Bruksel.

Lexo edhe:
Shefi i NATO-s, të mërkurën takime të ndara me Kurtin e Vuçiq

“Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëve të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve”. sipas Muletierdo të jetë në fokus të takimit.

Përveç takimit të përbashkët, Borrell do të zhvillojë edhe takime të veçanta me Kurtin dhe Vuçiq.

Më pas, sipas BE-së, Borrell do të dalë me një deklaratë për media lidhur me rezultatet e takimit mes palëve.

Takimi i fundit i nivelit të lartë politik Kurti-Vuçiq, është mbajtur në korrik të 2021-tës.

Gjatë vitit të kaluar, Kurti dhe Vuçiq u takuan dy herë, por asnjëri takim nuk kaloi me rezultate konkrete.

Bashkimi Evropian “detyroi” Kurtin dhe Vuçiq të paraqiten në Bruksel

Një vjet nga takimi i fundit i nivelit të lartë politik Kurti-Vuçiq, palët pritet të diskutojnë për uljen e tensioneve të ngritura së fundmi midis dy vendeve.

Më 31 korrik, pjesëtarë të komunitetit serb të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës me kamionë dhe makineri të rënda bllokuan rrugët që çojnë drejtë pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Barrikadat në Jarinjë / 31 korrik dhe 1 gusht 2022

Bllokada e tyre u vendos para fillimit të aplikimit të masave reciproke nga ana e Qeverisë së Kosovës me kërkesën për dokumente shtesë për të gjithë shtetasit serb në hyrje e daljet në Kosovë, si dhe legalizimin e të gjitha targave që ende nuk janë “RKS”.

Pas tensioneve për shkak të barrikadave dhe konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës mori përsipër ta shtyjë zbatimin e këtyre dy masave pas 30 ditëve./Shqip.com