Verbëria!

Prej tre muajsh Parlamenti i Shqiperisë ka humbur normalitetin, sot ai la pas shpinë edhe dinjitetin. Kuvendi nuk është pronë e Partisë socialiste, as e pushtetit as e Gardës së Republikës por institucioni më i lartë i saj shprehje e vullnetit qytetar. Sot për një kohë të gjatë edhe pse Zëvendës Kryetar i Kuvendit përfaqësues i Opozitës nuk u lejova të futem në ambientet e mia të punës dhe si unë shumë deputetë të tjerë të opozitës ndonëse ndaj nesh nuk kishte asnjë masë ndëshkuese.
Gandist e rugovian prej natyre kam mbështetur kauzën e opozitës pa qenë protagonist i dalluar i saj.
Sot deputetët u ndanë të kategorisë superiore dhe inferiore. Nuk është çudi që një ditë të na kërkojnë qendisma dalluese e diskriminuese.
Garda kujdesej me një gjuhe shenjash t’i udhëhiqte kolegët socialistë të hynin në katër dyert anësore duke bërë ndarjen “tanët” dhe “ata”.
Për ata që nuk e dinë “gardat pretorianë” ruanin nderin e shteteve ndërsa garda politike po e çnderon shtetin. Gramoz i Gardës mësoje këtë nëse të mbetet pak kohë nga tenderat.
Shtetet ndertohen mbi trashigimitë. Një ditë asnjëri prej nesh nuk do të jetë, do të jetë larguar siç e thoshte motit socialisti , Dritero Agolli por çfarë lëmë pas? Ai la libra dhe kollen e tij të thatë dhe shembullin që virtyti triumfon mbi partinë. Ne çfarë lëmë? Dhunim të më të dobtit? Pervetesim të shtetit, ideologjizim të administrates, nënshtrim pa kushte ndaj barkut e të prapanicave. Qyqarët, servilët, hajdutët, injorantët po e pickojnë ADN-nẽ e Kushtetutës aq shumë sa ajo duket tashmë si një xhybe e dalë boje rrëzë një ferre.
Opozita po bën betejën e saj për të drejta Kushtetuese, të drejta këto që po nëpërkëmben dhe shtypen me thundra gardistësh.
Sot me një akt të paprecedentë kjo mazhorancë kaq e akuzuar e kaq e venitur me një akt të pashembullt votoi për asgjësimin e Opozitës në Parlament. Rregullorja e votuar sot praktikisht tenton thyerjen e Opozitës. Do doja që sallën e Kuvendit ta shfrytëzoja për dimensionin e fjalës dhe argumentit, por fjala pa garanci Kushtetuese është fasadë.
Protesta kërkon normalitet ndërsa “normaliteti” pa rregulla është xhungël. Ambasada e SHBA-ve, e Anglisë, ato të BE duhet t’i vinë në ndihmë jo Opozitës por Shqipërisë që ajo të mos humbasë standardet demokratike, të drejtat Kushtetuese.
Konceptin e opozitës prej tyre e fituam. Me ta duhet ta mbrojmë.
Ne jemi në NATO dhe aspirojmë BE-në me të drejta të plota. Nuk mund të rrimë aty dhe as të shkojmë atje me një opozitë jashtë ligjit. Opozita dhe opozitarizmi nuk janë çështje individuale, janë shumë më tepër se kaq, janë thelb i demokracisë, ambasadorët e nderuar po bëhen deshmitarë të një vdekje të paralajmëruar.
Shumë gazetarë pyesin, qytetarë gjithashtu, hë çdo bëni tani, po më pas, me një kërshëri fëminore në raport me premtimet e patetikës politike.
E kam një pergjigje per të gjithe, kudo ka ndodhur, në Shqipëri shumë më tepër që arsyeja është mbytur nga forca ndërsa kujtimi i së drejtës na ka dhënë forcë të ngrihemi në vitin 1990.
Përsëri mund të ndodhë e përsëri mund të gremisemi.
I kujtoj kryeministrit të vendit Edi Ramës një sërë artikujsh që ai botonte tek gazeta “Koha Jonë” në vitet 1992-97 në kërkim të një demokracie liberale, të rregullave demokratike, kundër depersonalizimit të politikës dhe dominimit të individit dhe jam i sigurtë që nëse e bën, nëse aso kohe ishte i vërtetë dhe në paqe me veten, do ta thyente pasqyrën e kësaj dite të shëmtuar, do ta griste portretin e dhunës gardiste, rregulloren që asgjëson opozitën. Po Kryeministri duket s’ka kohë t’i rikthehet vetëvetes.
Deputetët e Kosovës votuan kundër autonomisë së tyre në vitin 1990, por ishin të rrethuar nga tanket e Millosheviçit. E korrigjuan në Kaçanik sa gjetën pak liri po këta tonët sot pse votuan kundër vetëvetes, kundër pluralizmit dhe të një Shqipërie normale. Kjo është verbëri do thoshte Saramango.
/Shqip.com