Vëllaznimi në krizë financiare – largohet “boshti” i skuadrës

Vendi i parë – ishte pozita ku i kaluan disa gjiro.
Por, më pas problemet financiare u shfaqën, dhe KF Vëllaznimi dalëngalë u njoftua me humbje.
Skuadra nga Gjakova ka zbritur në pozitën e katërt, duke regjistruar pesë fitore, gjashtë barazime dhe tri humbje.
Madje ekipi i parë ka kohë që i ka bojkotuar stërvitjet dhe ndeshjet, ndërsa u paraqitën me futbollistët juniorë.
Si pasojë e krizës financiare, fillimisht ishte larguar trajneri Gentrit Begolli, ndërsa tashmë skuadra është duke u shkapërderdhur.
Futbollisi i parë që u largua nga Vëllaznimi ishte Adnan Haxhaj.
Qendërmbrojtësi, përmes një postimi në Facebook, njoftoi për largimin nga kuqezinjët.
Pas tij, nga Gjakova është larguar edhe Viktor Kuka.
Futbollisti me shumë përvojë, ishte ndër kryesorët te gjakovarët, por edhe ai për shkak të problemeve me financa i ndau rrugët.

“Përshëndetje, deshta të ju njoftoj se që nga sot nuk jam pjesë e KF Vëllaznimit. Arsyet e largimit veçse i dini. Faleminderit stafit dhe futbollistëve të Vëllaznimit. Faleminderit Gjakovë. Faleminderit tifozat kuq e zi. Respekte nga Super Kuka”, njoftoi ai në Facebook.
Me këtë skuadër u “divorcua” edhe Donart Sheqerolli.
Ish-kapiteni i Besës të Pejës ishte i pazëvendësueshëm në mesfushë dhe së bashku me Abutrint Morinën ishin tandem i pandashëm.
“Përshëndetje, nga sot nuk jam më pjesë e K.F Vëllaznimit. Faleminderit Gjakovë, për mirepritjen”, ka shkruar ai në Facebook.
Por, duket që këto ishin vetëm largimet e para.
Me skuadrën tashmë janë ndarë edhe dy sulmuesit, Dardan Rugova dhe Albin Prapshtica.
Njëri në krahun e majtë, tjetri në krahun e djathtë ishin motorrët e skuadrës në fazën e sulmit.
Në situatë të njëjtë është duke kaluar edhe Drenica, skuadër e cila ka tre muaj që nuk i ka paguar detyrimet e futbollistëve. /Shqip.com