Lajme

Vela: Asociacioni i Komunave serbe në Kosovë nuk do të jetë me kompetenca ekzekutive

Shefi i kabinetit të presidentes Osmani, Blerim Vela
Shefi i kabinetit të presidentes Osmani, Blerim Vela

“Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe në Kosovë nuk do të jetë me kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë pushtet i tretë”.

Kështë ka deklaruar Blerim Vela, Këshilltari i Presidentes, Vjosa Osmani, duke iu refereuar vizitës së Emisarit Special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Emisarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Lexo edhe:
Kurti në konferencë me Escobar dhe Lajçak: Jemi të vendosur që mos të cenohen integriteti territorial dhe sovraniteti

Sipas tij, qëndrimi i Escobar për Asociacionin është tërësisht i njëjtë me atë të Osmanit, që siguron se nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe se nuk duhet të jetë monoetnik.

“Duhet lexuar më në detaje qëndrimi i tij i cili është jashtëzakonisht pozitiv dhe tërësisht në linjë me atë që thotë Kosova, e që është se Asociacioni duhet të krijohet që të mundësojë bashkëpunim mes komunave por nuk do të jetë pushtet i tretë. Këtë e ka thënë edhe Presidentja sot. Por qëndrimi është se nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive.

“Presidenca e ka të qartë se cfarë nuk do të jetë Asociacioni. Nuk do të jetë monoetnik dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive e cila do të binte në desh me Kushtetutën e Kosovës. Jemi në ato korniza. Asociacioni nuk mund të krijohet me kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë monoetnik. Të shohim se cfarë modalitete do të përdoren. Propozimi i palës së Kosovës ka qenë që kompetencat të jenë të njëjta sikur ato që i ka Këshilli Kombëtar i shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Ne e kemi bërë këtë propozim e tani të shohim se cfarë përgjigje do të kemi”, tha ai në RTV Dukagjini.

Po ashtu, Vela thekson se në këtë takim u riafirmua qëndrimi se çdo zgjidhje përfundimtare duhet që të ketë për bazë njohjen reciproke dhe se ruajtja e sovranitetit territorial të Kosovës.

“U riafirmua nga vetë përfaqësuesi amerikan se cdo zgjidhje përfundimtare duhet të ketë për bazë njohjen reciproke dhe se ky proces nuk duhet të cenojë integritetin territorial, sovranitetin dhe kushtetutshmërin.  Qëndrimet e tij i keni parë edhe para vizitës që i ka dhënë në intervista, e të cilat në masë të madhe janë të njëjta, por të mos thënë afër 100%, me qëndrimet që i kanë institucionet dhe presidentja e Republikës”, shtoi ai./SHQIP.com