Lajme

Vdes 24-vjeçari pasi u plagos me armë zjarri në poligon shenjëtarie në Obiliq

ShSKUK

24-vjeçari që u plagos mbrëmjen e së mërkurës në një poligon shenjëtarie në Obiliq, ka ndërruar jetë.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente, Naser Syla.

Lexo edhe:
Plagoset me armë zjarri një 24-vjeçar në një poligon shenjëtarie në Obiliq

Ai ka bërë të ditur se viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare me shenja jete, por që nuk ka mundur t’i përballojë plagët e rënda.

“Po vdiq më herët. Ai është sjellur me shenja jete, por lëndimet, plagët kanë qenë të rënda dhe nuk ka mundur t’i përballojë ato”, tha Syla.

Ndërkaq, rastin e kishte konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila kishte bërë të ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 17:45.

“Rreth orës 17:45, është pranuar informata për një rast të plagosjes me armë zjarri të ndodhur në një poligon të shenjëtarisë në Obiliq.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur  në të dhënat e para, janë ngritur dyshimet se një person, mashkull, 24 vjeç, ka marrë plagë nga arma zjarrit. Viktima është dërguar në QKUK për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor”, njoftoi Agron Borovci, zëdhënës i PK-së për rajonin e Prishtinës./SHQIP.com