Lajme

Vdekja e Rexhep Bojës: Gërvalla dërgon telegram ngushëllimi

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gëvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Boja, pas vdekjes së ish-myftiut të Bashkësisë Islame, Rexhep Boja.

“Me pikëllim të thellë pranova lajmin për ndarjen nga jeta të z. Rexhep Boja, ish myftiut të Bashkësisë Islame si dhe ish ambasadorit fuqiplotë të Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Grëvallës për familjen Boja.

Tutje Gërvalla ka thënë se ndarja nga jeta Bojës është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë, por për mbarë popullin e Kosovës, të cilët kanë përfituar nga solidariteti, urtësia e paqja që ka kultivuar e tij ndër vite.

Lexo edhe:
Vdes ish-ambasadori Rexhep Boja

“Z. Boja do të kujtohet gjithmonë për kontributin e tij tejet të vlefshëm në diplomacinë kosovare, në Bashkësinë Islame e në botën akademike. Një kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë për çështjen kombëtare, në veçanti gjatë viteve të 90-ta dhe në forcimin e mëtejmë të tolerancës ndërfetare në Kosovë. Z. Boja ishte modeli i klerikut atdhetar, i cili tërë jetën ua kushtoi këtyre dy idealeve madhore”, thuhet tutje në këtë telegram ngushëllimi.

Gërvalla ka shtuar se kolegët nga MPJD-ja do ta kujtojnë gjithmonë me respekt për bashkëpunimin, profesionalizmin e lartë dhe angazhimin e madh në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit. /Shqip.com