Lajme Botë

Vdekja e Navalnyt, reagon BE: Rusia përgjegjëse e vetme për këtë tragjedi

Bashkimi Europian ka reaguar ditën e sotme lidhur me vdekjen e ish-liderit të opozitës ruse Alexei Navalny, i cili ndërroi jetë papritur në ambientet e burgut në Siberi.

Teksa Kremlini ka njoftuar se nuk ka informacion lidhur me vdekjen e tij, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka akuzuar Rusinë si përgjegjëse, duke shkruar se luftëtarët vdesin, por lufta për liri nuk mbaron kurrë.

“Alexei Navalny luftoi për vlerat e lirisë dhe demokracisë. Për idealet e tij, ai bëri sakrificën e fundit. BE-ja e konsideron regjimin rus si përgjegjës të vetëm për këtë vdekje tragjike.

I shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij. Dhe atyre që luftojnë për demokraci në mbarë botën në kushtet më të errëta. Luftëtarët vdesin. Por lufta për liri nuk mbaron kurrë”, shkroi në “X” Michel.

Sakaq, zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova ka reaguar për herë të parë për vdekjen e liderit opozitar rus Navalny.

Ajo reagoi duke hedhur poshtë akuzat se vdekja e Navanlyt është e dyshimtë.

Në një deklaratë të postuar në rrjetin Telegram, Zakharova tha se rezultatet mjekoligjore për vdekjen e Navalny nuk kanë dalë ende, por se Perëndimi kishte arritur tashmë në përfundimet e veta.

Shërbimi burgjeve ruse tha se udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse Alexei Navalny, vdiq të premten në rajonin Yamalo-Nenets.

Navalny është armiku më i ashpër i Presidentit Vladimir Putin, ka ekspozuar korrupsionin zyrtar dhe ka organizuar protesta të mëdha kundër Kremlinit.

Lexo edhe:
I burgosur në arktikun rus, vdes Alexei Navalny, kritiku më i madh i Vladimir Putin

/Shqip.com