Lajme

Vazhdon greva në arsim, Qeveria dhe SBASHK-u në ngërç tash e tri javë

Ilustrim

Greva në arsim ka hyrë në javën e tretë, derisa arritja e një marrëveshjeje mes Bashkimit të Sindikatave të Pavarura dhe Qeverisë së Kosovës nuk duket që është afër.

Si pasojë e kësaj, nxënësit edhe këtë të hënë nuk do të kthehen në shkolla, pasi SBASHK-u ka vendosur që greva të vazhdojë.

Në lidhje me këtë vendim ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës, duke e quajtur si të paarsyeshme kërkesën e SBASHK-ut për 100 euro shtesë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se kanë zhvilluar mbi 30 takime me sindikatat, por që sipas tij, po mungon gatishmëria nga sindikatat për të ecur përpara.

Lexo edhe:
Qeveria thotë se me sindikatat ka pasur komunikim por “mungon arsyeshmëria nga sindikatat për 100 euro shtesë”

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, përmes një komunikate për media ka deklaruar mbrëmjen e 11 shtatorit se greva do të vazhdoj deri në momentin kur qeveria t’i realizojë kërkesat e mësimdhënësve.

“Qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që deri sa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së, që është organ legjitim për të menaxhuar grevën dhe për të zhvilluar dialog me palën tjetër dhe gjersa Qeveria nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve greva do të vazhdojë”, thuhet në njoftim.

Lexo edhe:
SBASHK-u: Greva vazhdon derisa Qeveria t’i realizojë kërkesat tona

Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci i ka bërë sërish thirrje SBASHK-ut që të ndërpresë grevën dhe t’i kthehet dialogut konstruktiv.

Përmes një shkrimi në Facebook, Nagavci thotë se nuk ka kurrfarë arsye që të mbahet grevë nga BSPK dhe SBAShK-u, pasi sipas saj, Qeveria ka bërë disa hapa dhe ka ndërmarrë vendime të dinjitetshme për adresimin e kërkesave të parashtruara nga sindikatat.

Lexo edhe:
Nagavci: SBASHK-u ta ndërpres grevën, për orët e humbura vendos MASHTI

Nga data 25 gusht, SBASHK-u ka hyrë në grevë me kërkesën për 100 euro shtesë.

Deri më tash nuk ka pasur asnjë pajtim për ndërprerjen e grevës, ndërkohë që kjo sindikatë ka paralajmëruar se orët e humbura të mësimit nuk do të zëvendësohen./Shqip.com