Ekonomi Biznes

Vazhdon ‘fluturimi’ i çmimeve të produkteve vendore, prodhuesit mohojnë rritjen

Në periudhën kur fushata për bojkotimin e prodhimeve serbe mori vrull, jo pak prodhime vendore shënuan rritje të çmimeve.

Numër i madh i qytetarëve zgjodhën platformat dhe mënyrat e ndryshme për të shprehur pakënaqësinë me këtë veprim, duke akuzuar marketet se po abuzojnë me çmime, sidomos kur vendi po vazhdon të përballet me telashe të mëdha shkaku i inflacionit të lartë.

Në shumë markete, çmimet e disa prodhimeve kosovare, janë rritur më shumë se ato që vijnë nga importi.

Çmimet e prodhimeve vendore në markete

Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve tha për Shqip.com tha se janë duke hulumtuar nëse rritja e këtyre çmimeve është artificiale apo nga ndonjë faktorë tjetër.

“Ka indikacione se produktet e Serbisë kanë shënuar rënie në tregun e Kosovës nga bojkotimi nga konsumatorët. Kjo situatë, ka krijuar një situatë të re, por nevojitet ngritja e vetëdijes kombëtare për blerjen e produkteve vendore, por ka edhe disa indikator që çmimet e disa produkteve janë në ngritje e që Aleanca Kosovare e Bizneseve është duke hulumtuar cilët janë indikatorët e saktë dhe çka neve na duket si qytetarë, konsumatorë, por edhe si institucione pasi shihet një ngritje e lehtë e disa çmimeve”, tha Shahini.

Agim Shahini – Kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve

Shahini ka thënë se me një qëndrim të qartë për këtë çështje, do të dalin kur të përfundojnë studimin.

“Prandaj nuk mund të themi të vërtetën se çka ka ndodh, por së shpejti do të dalim me një studim për të zbuluar indikatorët nëse ka ndonjë tendencë qoftë të rritjes së lëndës së parë të produkteve apo të ngritjes së çmimeve artificiale, qoftë edhe nga pikat shitëse e që janë në dëm të konsumatorëve”.

Të ashpër ndaj këtyre veprimeve janë njohësit e ekonomisë në vend.

Lulzim Beqiri – Ekspert i ekonomisë

“Nuk është etike që çmimet të rriten nga prodhuesit vendor si rezultat i bojkotit të prodhimeve serbe”, ka thënë për Shqip.com, eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri.

Ndërsa, nga grupi “Besa Besë”, kanë bërë thirrje që të mos abuzohet me çmime, por kanë për thirrje sërish që të mos konsumohen prodhimet serbe, një pjesë e të cilave tash kanë çmime shumë më të lira se ato vendore.

Mergimtare Kastrati – Këshilli i grupit “Besa Besë”

“Besoj që tashmë qytetarët janë vetëdijësu që nuk duhet me i ble prodhimet serbe, e sa i përket rritjes së çmimeve, duhet të jemi më të sigurtë dhe me fakte. Qytetarët, asnjëherë për asnjë çmim nuk duhet të konsumojnë produkte të Serbisë, t’u e pas parasysh që Serbia akoma s’ka kërku falje dhe nuk është pendu për gjenocidin në Kosovë, e ka shumë arsye që me i qëndru kësaj kauzë”, ka deklaruar Mergimtare Kastrati nga këshilli i grupit “Besa Besë”.

Faji tek dyqanet apo tek prodhuesit?

Gjatë kësaj periudhe faji për rritjen e çmimeve është drejtuar tek kompanitë prodhuese, por edhe tek marketet.

Por, kjo është mohuar nga një prej kompanive përpunuese të qumështit.

Nga qumështorja “Drena”, kanë thënë për Shqip.com se nuk kanë pasur ngritje të çmimeve që një kohë të gjatë.

“Mund të themi me përgjegjësi të plotë që nuk kemi pasur ndonjë ngritje të çmimeve një kohë të gjatë, para fillimit të kampanjës. Se pse ka ndodhur kjo ngritje në fakt as ne nuk po e kuptojmë diçka e tillë, kur nuk ka tendencë të ngritjes së çmimit të lëndës së parë ndërsa, çmimi i ngritjes së naftës ka ndodhur më herët, kështu që nuk duhet të afektojë prodhimin aktual nga koha e ngritjes”, thuhet në përgjigjen e kompanisë për mediumin.

Qumështorja “Drena”

Qumështorja “Drena” u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që të ndëshkojnë të gjithë prodhuesit që kanë rritur çmimet.

“Nëse ka ndodhur një ngritje e tillë pas fillimit të kampanjës, ftojmë konsumatorët që t’i ndëshkojnë ata sepse tanimë asnjëri nga prodhuesit vendor nuk ka monopol në ndonjë produkt të caktuar. Ka shumë produkte dhe shumë prodhues, andaj konsumatori të jetë i vetëdijesuar për zgjedhjen e tyre”.

Selatin Kaçaniku nga Organizata Joqeveritare “Konsumatori”, ka thënë se ngritja e çmimeve të prodhimeve vendore, ka efekt të madh tek qytetarët.

“Për fat të keq është e vërtetë. Ani se numër i vogël biznesesh në numër të vogël artikujsh / produktesh i kanë ngritur çmimet, efekti është tejet i madh. Kjo, nga se bëhet fjalë për disa artikuj themelor ushqimor të ’’shportës’’, të cilat i ‘’trajtoi’ edhe Qeveria e kaluar – duke manipuluar me TVSH-në”, tha Kaçaniku.

Selatin Kaçaniku – OJQ “Konsumatori”

Duke u bazuar në ankesat e konsumatorëve, Kaçaniku ka thënë se as Qeveria dhe as Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nuk e kanë idenë se çfarë duhet bërë.

“Është humbur edhe besimi. Më e keqja është se Qeveria as MINT-i nuk e kanë idenë se çfarë po ndodh dhe se çka duhet ndërmarrë. Qeveria duhet ta njoh qytetarin konsumator dhe të krijojë politika pro arritjes dhe ngritjes së vazhdueshme të kënaqshmërisë së tij/saj, konform mandatit dhe obligimeve kushtetuese, juridiko-ligjore”, tha tutje Kaçaniku.

Para pak ditësh, Shqip.com ka raportuar për fenomenin e ndryshimit të flamujve nga raftet, ku megjithëse janë shqiptuar dënime ndaj marketeve, por të njëjtat kanë vazhduar avazin e vjetër.

Lexo edhe:
Mosvendosja e flamujve në markete, MINT detyrohet t’i angazhojë inspektorët e naftës

Me qëllim të rritjes së kontrolleve dhe në mungesë të kapaciteteve njerëzore, Inspektorati i Tregut i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është detyruar të angazhojë edhe inspektorët e naftës për t’u ndihmuar në realizimin e kontrolleve më të mëdha.

/Shqip.com