Ekonomi

Mosvendosja e flamujve në markete, MINT detyrohet t’i angazhojë inspektorët e naftës

Inspektorët e Tregut
Inspektorët e Tregut

Përveç çmimeve të ngritura, ka një kohë që në shumë markete nuk po respektohet vendimi i nxjerrë nga institucionet për vendosjen e flamujve të origjinës secilit produkt që kanë në shitje.

Kjo ka shkaktuar probleme të mëdha për qytetarët, por po aq telashe edhe për vetë Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë.

Në mungesë të inspektorëve të mjaftueshëm të ushqimit, ministria është detyruar të angazhojë edhe ata që merren me kontrollin e derivateve të naftës.

“Inspektorati është shumë aktiv, por që kemi mungesë të inspektorëve, inspektorët që merren me kontrollin e çmimit të naftës merren edhe me inspektime nëpër markete. Vetëm për inspektim të marketeve kemi tre inspektorë”, ka thënë për Shqip.com, Lebibe Haliti, kryeinspektore e Tregut.

Marketet vazhdojnë me avazin e vjetër edhe pas kontrolleve

Haliti ka thënë se pavarësisht inspektimit të rregullt, marketet janë duke vazhduar që të mashtrojnë, duke i ndryshuar flamurët e origjinës pasi ata të largohen nga objekti. 

“Sa po të dalin inspektorat nga maketi, ndryshohet flamuri sidomos tek produktet e shteteve të regjionit”, ka deklaruar ajo.

E për një kontrolle më strikte, ajo ka kërkuar nga qeveria që të rrisë numrin e inspektorëve, ani se është planifikuar të punësohen 28 inspektorë të rinjë nga muaji maj.

Lebibe Haliti – Kryeinspektore e Tregut

Një punëtore e një marketi në kryeqytet ka thënë në kushte anonimiteti për Shqip.com se shkaku i numrit të vogël të stafit, nuk po mund të vendosin flamuj në të gjitha produktet.

“Nuk është që nuk i vendosim flamurët, por kemi mungese të punëtorëve. Gjatë ditës jemi shumë pak dhe angazhime kemi shumë. Unë nga arka nuk mundem të dal dhe të ju ndihmojë kolegëve, pasi gjithë kohën dikush kërkon shërbim tek pagesat“, ka thënë punëtorja e një maketi në Prishtinë.

Shitja e produkteve pa flamuj
Shitja e produkteve pa flamuj

Ankesa për mungesë të flamujve ka pasur kohë pas kohe gjatë këtyre viteve, por se ato janë rritur pas nisjes së fushatës për bojkotimin e produkteve që kanë origjinë nga Serbia.

Almira Qupeva nga Grupi “Besa Besë”, që numëron mbi 100 mijë anëtarë për Shqip.com tregon se qëllimi kryesore është bojkotimi i këtyre produkteve dhe zëvendësimi me ato vendore.

“Grupi ka për qellim të ndikoj tek shoqëria jonë dhe të ngrisë vetëdijen qytetare për bojkotimin e prodhimeve serbe. Grupi fillimisht ka zhvilluar aktivitete vetëm përmes platformave online, por nga muaji shtator i 2022, kemi hartuar një plan për aktivitete dhe takohemi me akterë të ndryshëm, duke filluar nga institucionet relevante, biznese dhe prodhues vendor. Grupi tashmë ka mbi 105 mijë anëtar, të cilët kontribuojnë me kauzën tonë në mënyra të ndryshme. Qëllimi ynë kryesor është bojkotimi prodhimeve serbe dhe mendojmë që qytetarët do duhej të i zëvendësojnë me prodhime vendëse ose prodhime të vendeve tjera”, ka thënë Çupeva.

Në anën tjetër, ekonomisti Lulzim Beqiri thotë se thirrja për bojkotimin e produkteve serbe është fushata më e fuqishme e ndodhur ndonjëherë në vend.

“Fushata për bojkotimin e produkteve serbe është fushata më e fuqishme e ndodhur ndonjëherë në Republikën e Kosovës. Ka disa grupe, të cilat janë duke bërë fushat të jashtëzakonshme kundër produkteve me origjinë nga shteti kriminal serb. Fushata më e madhe “Mos bli prodhime serbe”, ka mbi 100 mijë anëtarë, shumica aktiv, të cilët janë duke dhënë një kontribut të çmuar për të informuar qytetarët nga rreziku i konsumimit të prodhimeve serbe”, ka thënë Beqiri për Shqip.com.

Lulzim Beqiri – Ekonomist

Beqiri thotë se qytetarët tashmë janë vetëdijësuar lidhur me prodhimet serbe.

“Sipas mediave tashmë kemi disa biznese pa asnjë prodhim serb, shumë lokale kanë paralajmëruar klientët për tërheqjen e prodhimeve me origjinë serbe dhe kjo vjen si përgjigje e agresionit serb ndaj Kosovës. Nuk ka pendim as kërkim falje, po përkundrazi kërkojnë kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, për të vrarë prapë shqiptar të pakujdesshëm, siç po jemi ne sot që jemi duke i dhënë hapësirë operimi kompanive serbe, thjesht duhet një organizim siç është “Mos bli prodhime serbe”, që ka tubuar mbi 100 mijë qytetarë rreth vetes për të kujtuar të kaluarën për të vetëdijësuar të tashmën dhe për të ruajtur të ardhmen e ekzistencës së shtetit tone”.

Ai ka deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet të ofrojë mbështetje për prodhuesit vendorë.

“Shteti do të duhej të mbështes prodhuesit me një pako të re ekonomike e financiare: 1. Lirim nga TVSH për një periudhë 3-vjeçare të gjithë prodhuesit vendor, 2. Mbështetje për importin e lëndës së parë nga vendet miqësore, 3. Pako financiare për cilësi, 4. Pako financiare për ekspert, 5. Pako financiare për makineri”.

Vendimi, i cili detyronte marketet t’i vendosnin flamujt tek produktet, nisi më 2018.

Ministria e Tregtisë në atë vit kishte nxjerrë Udhëzimin Administrativ për caktimin e formës, përmbajtjes dhe përdorimit të flamurit mbi origjinën e produktit.

Ky Udhëzim, kërkonte nga shitësit që flamurin e origjinës së produktit, ta vendosin në anën e majtë të çmimit të shitjes apo çmimit për njësi jo më larg se 1 centimetër nga çmimi i produktit.

I njëjti, parashikonte madhësinë e flamurit, ndërsa i njëjti duhet të jetë i vendosur në mënyrë të qartë dhe të jetë gjithherë i dukshëm për konsumatorin, kurse origjinën e produktit të importuar, përcaktohet nga autoritetet doganore ose barkodi i produktit.

/Shqip.com