Lajme

Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Pjetër Shalës

Pjetër Shala
Pjetër Shala

Edhe gjatë ditës së sotme do të vazhdojë seanca gjyqësore ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shalës.

Në seancën e djeshme ka dëshmuar dëshmitarja e mbrojtur me kodin 6 e cila ka deklaruar se bashkëshorti i saj kishte probleme shëndetësore dhe trauma si rezultat i torturave në fabrikën e hekurit në Kukës.

“Si i dilte gjumi thoshte ku jemi dhe më thoshte bimi djemtë t’i shoh, unë i thoja që djemtë janë ne punë s’munden me ardhë, pyetke ku jemi, unë i thoja jemi në shpi tonë. Për, disa ditë e kanë përcjellë këto”, tha ajo, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këto deklarime, dëshmitarja 6 i bëri duke u përgjigjur në pyetje të mbrojtësit të viktimave, Simon Laës.

Tutje, dëshmitarja shtoi se ishin nën përcjellje gjatë tërë kohës nga njerëz që kishin bërë krime dhe jo nga pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ajo tha se ishin të përcjellë nga frika se mos po jepnin deklarata tek organet e drejtësisë.

Gjithashtu, dëshmitarja shtoi se vajzat e tyre ishin të detyruara ta ndërpresin shkollimin si rezultat i frikës nga përcjellja që po iu bëhej.

Lexo edhe:
Dëshmitarja në rastin Shala tha se burri i saj kishte trauma për shkak të torturave

Ndërsa, në fillim të seancës, avokati Gilissen tha se Shala kishte dëshirë të ishte i pranishëm në sallë, por që ishte i tensionuar, pasi seanca po transmetohej me ndërprerje, duke kaluar në seanca private dhe se publiku nuk ishte në gjendje ta ndiqte gjykimin në tërë e jo se nuk mund t’i duronte ato që thuheshin aty.

Tutje, Gilissen shtoi se është në dijeni për rëndësinë e mbrojtjes së dëshmitarëve, por gjithashtu duhet treguar kujdes me parimin e publicitetit, për të siguruar një gjykim të drejtë.

Sipas tij, ishte gjykata ajo që e humbi Shalën në seancën e së martës dhe jo që ai nuk po duronte deklarimet në seancë.

“Një gjyq, për të qenë i drejtë duhet të jetë publik, ju lutem, prioriteti është një proces publik, është një garanci, por sigurisht që duhet të jemi të kujdesshëm sa i takon aspektit të sigurisë, veçanërisht bazuar në informacionin lidhur me identifikimin, të dhënat identifikuese për dëshmitarët dhe për sigurinë e tyre”, tha ai.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia tha se ka të qartë parashtrimin e mbrojtjes, por që iu duhet të gjejnë një mesatare të asaj mes parimit të publicitetit dhe mbrojtjes së dëshmitarëve.

Kujtojmë se  dëshmitari i parë ka deklaruar se babai i tij ishte oficer policie dhe se ishte pensionuar në vitin 1997.

Gjatë dëshmisë së tij, ai pretendon se Pejtër Shala i kishte thënë babait të tij “pse nuk na ke pritur te shtëpia pasi unë kam ardhur me të marrë atë ditë” gjatë mbajtjes në hekurishtë në Kukës.

Lexo edhe:
Gjykimi ndaj Pjeter Shalës, paraqitet dëshmitari i parë

Dëshmitari tha se kanë pasur marrëdhënie të mira me komunitetin në vendin ku banonin dhe kjo ka qenë arsyeja e pensionimit të dhunshëm të babait të tij.

Tutje, ai shtoi se si familje kanë qenë aktive në politik dhe se e kanë përkrahur Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Kurse në pyetjet e prokurorit, Filipo De Miniqis, se perse nuk e kishte përmendur Shalën gjatë intervistimit në nga Tribunali i Hages për krimet në ish-Jugosllavi, dëshmitari deklaroi se nuk e dinte pse, duke shtuar se mbase hetuesit nuk e kanë pyetur.

Nga prokurori De Miniqis, dëshmitari u pyet se a i kishte ndodhur diçka familjës së tij në maj të vitit 1998.

“Me 9 maj sa me kujtohet, kanë ardh dy persona të UÇK-së nga Jabllanice, kanë ardh dhe kanë fol me vllaun gjoja për dorëzimin e armëve që i kemi pas për mbrojtjen e fshatit. Vllau ju ka than se nuk është baba këtu.  Kur jam dal unë me kan thanë se armët me i dorëzua se ky është urdhër i Lahi Ibrahimajt, ju kam than se armët i kemi për mbrojtjen e fshatit”, ka deklaruar dëshmitari i prokurorisë.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

/Shqip.com