Sport Ndërkombëtar

Van Gaal këshillë për Ten Hag – United është ‘klub komercial’

Louis van Gaal sa ishte pjesë e Man United

Erik ten Hag aktualisht është një nga trajnerët më të mirë në futbollin evropian dhe jo vetëm.

Ai ka bërë arritje të mëdha me skuadrën e Ajaxit në Eredivisie dhe Champions League, duke bërë që emri i tij të lidhet me klube më të mëdha evropiane.

Trajneri i Kombëtares së Holandës, Louis van Gaal ka komentuar rreth thashethemeve të fundit që e lidhin Ten Hag-un me Manchester Unitedin, raporton “Goal“.

Kjo pasi që drejtuesi i “Oranges” kishte pasur një aventurë me “Djajtë e Kuq” më herët, e cila nuk përfundoi dhe aq mirë.

Erik ten Hag, Ajax Amsterdam

“Erik ten Hag është një trajner i madh dhe kjo është gjithmonë e mirë për Manchester United, por Manchester United është një klub komercial, që është një zgjedhje e vështirë për një trajner.

“Do të ishte më mirë të shkonte në një klub futbolli”, tha ai duke dëshmuar për shijen e hidhur që i la “Old Trafford”.

70 vjeçari u shpreh i hapur për Ten Hag duke thënë se ai mund ta telefonojë atë, por që ritheksoi se nuk duhet t’i bashkohet një “klubi komercial”.

Javë më parë u raportua se 52 vjeçari nga Amsterdami, mund të jetë pasuesi i Ralf Ragnick për sezonin e ardhshëm.

Po ashtu, edhe emrat si Julien Lopetegui, Mauricio Pochettino dhe Luis Enrique i Spanjës janë në listën e bordit të 13 herë fituesve të Premier Ligës. /Shqip.com