Lajme

Ushtarët e FSK-së do të nisen për në stërvitjen qendrore të Forcave të Armatosura Sllovene

Forcat e Armatosura Sllovene

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se ushtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës do të nisen për në stërvitjen qendrore të Forcave të Armatosura Sllovene, njofton Shqip.com.

Kështu bëri të ditur ai me anë të një postimi në Facebook, teksa tha se ndjehet i nderuar që ka marrë vendim për të dërguar kontigjentin e parë të ushtarëve të FSK-së për në këtë stërvitje.

Mehaj më tej tha se në këtë stërvitje marrin pjesë forcat sllovene dhe 19 forcat e shteteve tjera të BE-së dhe NATO-s.

“Kjo stërvitje synon të forcojë gatishmërinë e Forcave të Armatosura sllovene për të marrë pjesë në sistemin e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera në Republikën e Sllovenisë dhe për të integruar sigurinë me shtetet anëtare të BE-së dhe forcat tjera partnere, si vendi ynë, të rëndësishme në fushën e mobilitetit ushtarak dhe mbështetjes logjistike”, ka shkruar ai.

“Mirënjohje dhe vlerësim i lartë për partneritetin me ministrinë dhe forcat homologe sllovene. Besim i plotë në shkathtësitë profesionale specialistike të ushtarakëve tanë dhe aftësive ndërvepruese me forcat partnere. Forca djema, për Nderin e Kombit dhe Flamurin tonë! Për më të mirën, për veten dhe miqtë tanë!”, është shprehur më tej Mehaj. /Shqip.com