Lajme

Urdhërohet sekuestrimi i përkohshëm i disa villave në Brezovicë

Aksioni Brezovica

Gjykata Themelore në Pejë ka urdhëruar sekuestrimin e përkohshëm të villave në zonën malore “Sharri” në Brezovicë.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

Zhuti tha se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Pejë.

“Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë që të bëhet sekuestrimi i përkohshëm i objekteve të ndërtuara në zonën e Sharrit pra në Brezovicë”, tha Zhuti.

Kujtojmë se lista prej 75 pronave të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, përmban emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë.

Politikanë, gjykatës e biznesmenë, pronarë të vilave të sekuestruara në Brezovicë – SHQIP.com

Siç ka raportuar Betimi për Drejtësi, në këtë listë janë tre gjykatës të Ferizajt, të cilët janë gjykatës nga të tria niveleve të gjyqësorit.

Të tre këta gjykatës, pronat i kanë blerë bashkë në vitin 2016, në sipërfaqe 2.84 ari, respektivisht 2.4 ari me një çmim prej 6 mijë euro secili.

Sipas prokurorit Rasim Maloku, i cili kohë më parë ishte deklaruar në media, shumica e këtyre objekteve janë ndërtuar, duke keqpërdorur detyrën zyrtare, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zone.

Maloku ka njoftuar se pronarët që kanë blerë villa apo kanë ndërtuar, duke mos u përfshirë në vepra penale, nuk do të hetohen dhe ndiqen penalisht, por atyre vetëm do t’iu sekuestrohen pronat

Por, të gjithë këta persona, do të kenë mundësinë ligjore që të ndjekin rrugët në procedurë civile për kompensim të dëmeve që iu shkaktohen, ndërsa për villat, sipas Malokut, do të bëhet kërkesë për rrënimin e tyre, në mënyrë që zona të kthehet ashtu siç përcaktohet në Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”.

Ndër politikanët që figurojnë në listë janë Enver Hoxhaj ish-Ministër, dy vëllezërit e ish-Presidentit Hashim Thaçi si dhe një numër i madh i biznesmenëve, përfshirë edhe personat e arrestuar gjatë aksioneve në Brezovicë.

/Shqip.com