Lajme

UP-ja “diskriminon” studentët lidhur me ndarjen e bursave

Logo e Universitetit të Prishtinës
Logo e Universitetit të Prishtinës

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ditë më parë ka hapur konkurs për bursa për studentët e nivelit master dhe të doktoratës.

Shuma vjetore e bursës është 700 euro për studentët e nivelit master, ndërsa 800 euro për ata të doktoratës.

Lidhur me këtë konkurs, kanë reaguar nga studentët e studimeve të nivelit të Doktoratës të Fakultetit Ekonomik, lidhur me diskriminimin, që sipas tyre, iu është bërë në lidhje me ndarjen e bursave universitare nga UP.

“Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” diskriminon studentët e Doktoratës të Fakultetit Ekonomik duke mos i përfshirë në përfitimin e bursave universitare”, thuhet në njoftimin për media.

Tutje, sipas këtij njoftimi, për herë të parë UP ka bërë thirrje për ndarje të bursave për studentët e nivelit Master dhe atë të Doktoratës, mirëpo të drejtë aplikimi për të përfituar nga këto bursa kanë pasur vetëm studentët e regjistruar në vitin akademik 2021/2022 dhe 2022/2023.

“Në Fakultetin Ekonomik gjenerata e fundit e studentëve të regjistruar në nivel të Doktoratës është ajo e vitit 2020/2021 pasiqë me tej ky nivel nuk është akredituar. Edhe pse këta studentë ende janë aktiv në vitin e tretë të studimeve, të njëjtit janë diskriminuar duke iu pamundësuar përfitimi i këtyre bursave, përderisa studentët e fakulteteve të tjera që sapo janë regjistruar në vitin 2022/2023 dhe kanë mbaruar vetëm një semestër sipas UP-së kanë pasur të drejtë të aplikojnë dhe të përfitojnë nga këto bursa”, thuhet në vazhdim të njoftimit.

Ankesa e studentëve:

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” më datën 14 Prill 2023 ka hapur thirrje për të ndarë bursa për studentët e nivelit Master dhe ata të Doktoratës. Sipas thirrjes në konkurs UP-ja për herë të parë do të ndajë bursa për studimet e këtyre dy cikleve ‘Master’ dhe ‘Doktoratë’.

Në kushtet e konkursit ndër të tjera theksohet:

1. Bursa universitare ndahet për studentët e nivelit të studimeve të doktoratës ; dhe

2. Të drejtë aplikimi për bursë universitare kanë studentët të cilët i plotësojnë këto kushte:

2.1. Të jenë studentë të rregullt të fakulteteve të Universitetit të Prishtinës ;

2.2. Të jenë studentë të pranuar në vitet akademike 2021/22 dhe 2022/23 ;

2.3. T’i kenë të regjistruar të dy semestrat e vitit akademik 2022/23.

Vlerësimet e të gjithë studentëve aktiv në studimet e doktoratës, konkursin përkatës respektivisht pikën 2.2. të kushteve të përcaktuara me këtë konkurs e shohin diskriminues dhe absolutisht të papranuar. Prandaj, në vijim, do të arsyetojmë kërkesën tonë për ri-shqyrtimin e konkursit përkatës dhe përfshirjen në konkurs dhe të gjeneratës 2020/21, me të drejtë aplikimi dhe përfitimi të bursave meritore.

I. Në Njësinë Akademike ‘Fakulteti Ekonomik’, gjenerata e fundit e pranuar në studimet e doktoratës është gjenerata 2020/21, çfarë nënkupton se nuk ka pasur asnjëherë deri më tani konkurse për gjeneratat 2021/22 dhe 2022/23 për të cilat është përcaktuar me këtë konkurs ndarja e bursave universitare, përderisa ka pasur konkurse për Njësi të tjera Akademike (sido që të jetë kjo është në diskrecion të Senatit të UP-së dhe Njësive Akademike). Mirëpo, përderisa jemi gjenerata e fundit dhe studentë aktiv në semestrin e fundit sipas kohës së rregullt tri (3) vjeçare të studimeve, konsiderojmë se mos përfshirja jonë paraqet shkelje dhe diskriminim ndaj gjeneratës tonë respektivisht favorizim vetëm i gjeneratave 21/22 dhe 22/23, dhe atë për njësi të caktuara akademike. Thënë më konkretisht, sipas kushteve të këtij konkursi, të drejtë aplikimi kanë vetëm studentët e gjeneratës 2021/22 të cilët kanë përfunduar vitin e parë të studimeve (respektivisht tanimë në semestrin e III-të) dhe studentët e gjeneratës 2022/23 të cilët kanë përfunduar vetëm semestrin e parë. Kjo është absolutisht diskriminuese pasi kjo e drejtë po iu mundësohet studentëve vetëm të disa njësive akademike dhe të cilët kanë përfunduar vetëm semestrin e parë dhe po iu pamundësohet aplikimi studentëve aktiv të vitit të tretë të cilët janë në fazën më kritike të fushës hulumtuese.

II. Sa për informimin tuaj, studentët e pranuar me konkursin e vitit akademik 2020/2021 të Njësisë Akademike ‘Fakulteti Ekonomik’, janë regjistruar me shumë vonesë, në fillim të muajit Maj 2021, për shkak të vendimeve të Senatit të UP-së lidhur me shqyrtimin e konfliktit të interesit në konkursin përkatës, për përsëritje të provimit pranues dhe në fund vendimit për korrigjimet e nevojshme dhe regjistrimin e studentëve pa ri-testim. Kjo ndikoi dhe në vonesat e parikuperueshme për fillimin e vitit akademik, të cilat natyrisht kanë pasur ndikimin e tyre dhe në fillimin me shumë vonesë të ligjëratave, si dhe angazhimin e studentëve të doktoratës për kryerjen e provimeve obligative. Me rastin e fillimit të ligjëratave, afërsisht fundi i muajit Maj 2021, u detyruam që brenda periudhës 2 mujore t’i përfundojmë ligjëratat e të dy semestrave. Kjo padyshim ishte ngarkesë jashtëzakonisht e madhe në aspektin hulumtues me qëllim të kryerjes së provimeve të kërkuara. Po ashtu, ne si studentë të kësaj gjenerate jemi ballafaquar dhe me implikime të mëdha financiare me rastin e kryerjes së pagesës brenda periudhës Maj-Tetor të vitit 2021 të tre (3) semestrave të parë për gjithsej 1,500 € (500 €/semestër * 3 semestrat e parë). Tashmë shumica e studentëve kanë të regjistruar semestrin e gjashtë (VI) dhe janë studentë aktiv, duke nënkuptuar një shumë totale të pagesës së semestrave prej 3,000 € (500 €/semestër * 6 semestra).

III. Gjatë studimeve të deritanishme të Doktoratës, ka shumë pak studentë të cilët kanë arritur t’i përfundojnë provimet e tyre, për të vazhduar më pastaj me disertacionin e doktoratës. Kjo për faktin se nga bartësit e disa nga lëndët obligative në vazhdimësi është kërkuar që për të përfunduar provimin është e nevojshme publikimi i një punimi në lidhje me lëndën në revistat e platformave të njohura ndërkombëtare si: ‘Web of Science’ apo ‘Scopus’, duke u thirrur gjithnjë në atë se një gjë e tillë kërkohet dhe me rregulloren me nr. protokolli 1/96 të datës 24.06.2021. Natyrisht, jemi plotësisht të vetëdijshëm që kjo ka ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së studimeve, mirëpo kjo po ashtu po kërkon dhe financim të projekteve hulumtuese dhe kohë si në përgatitjen e punimeve shkencore ashtu dhe deri në finalizimin e pranimit respektivisht publikimit të punimeve përkatëse. Prandaj, vlerësojmë se përkrahja financiare përmes ndarjes së bursave universitare është më se e qëlluar, por jo duke bërë diskriminime në raport me studentët të cilët kanë më së shumti nevojë, e të cilët deri më tani nuk janë përkrahur as nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe as nga Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ në kërkesat tona të vazhdueshme për lirimin nga pagesa e dy semestrave të fundit.

IV. Po ashtu, është krejtësisht jo në rregull krahasimi i studimeve të doktoratës me studimet master. Kjo pasi, shtrohet pyetja si është e mundur në konkursin me nr. protokolli 848 të datës 14.04.2023 për ndarjen e bursave për studentët e nivelit master, të drejtë aplikimi të kenë studentët e gjeneratës 2021/22 dhe 2022/23 (kriter i njëjtë me konkursin për bursa Ph.D.) përderisa studimet e tilla zgjasin dy (2) vite apo një (1) vit akademik, në krahasim me studimet e doktoratës të zgjasin më së paku 3 vite. Andaj, në mbështetje të të gjitha arsyetimeve të dhëna, kërkojmë nga Këshilli Drejtues dhe Rektorati i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ që të ri-shqyrtojë konkursin e shpallur për ndarjen e bursave universitare për studimet e doktoratës dhe të bëjë plotësim-ndryshimin e konkursit duke lejuar aplikimin në SEMS të të gjithë kandidatëve të cilët i plotësojnë kriteret e konkursit edhe për gjeneratën e studentëve 2020/21.

Mbesim me shpresën se kërkesa jonë do të merret parasysh dhe të gjithë studentët e gjeneratës 2020/21 të cilët i plotësojnë kriteret të jenë përfitues të bursës universitare.

/Shqip.com