Lajme

Ujësjellësi “Prishtina” i dërgon rreth 600 familje te përmbaruesi

Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Prishtina"
Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Prishtina"

Borxhi ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, vazhdon të mbetet i lartë. Janë afër 50 milionë euro borxh i akumuluar nga paslufta e deri më tani, që konsumatorët i kanë kësaj kompanie.

Ndërsa qindra raste tashmë kanë përfunduar te përmbaruesi, pasi me vite të tëra nuk kanë paguar faturat e ujit të konsumuar.

Këtë e ka konfirmuar, ushtruesi i detyrës së Kryeshefit ekzekutiv në këtë ndërmarrje, Sokol Xhafa.

“Borxhi i konsumatorëve vazhdon të jetë i lartë në ndërmarrjen tonë, për fat të keq ende ka konsumator të cilët nuk kanë vullnetin për të paguar ujin. Në përgjithësi borxhi total nëse e marrim është mbi 45 milionë euro në tentativë për të ofruar 50 milionë euro që nga paslufta. Për ne është e vështirë në këtë gjendje të operojmë por prapë se prapë do të shfrytëzojmë të drejtat ligjore dhe obligimet që na japin me qëllim të inkasimit të këtyre borxheve”, ka thënë ai.

Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit ekzekutiv në KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa

Xhafa ka bërë të ditur se në tre mujorin e parë kanë dërguar mbi 300 lëndë të përmbaruesit dhe vetëm gjatë mujit prill dhe maj ky numër është dyfishuar.

“Nëse flasim për periudhën e pjesës së parë të këtij viti ose tre mujorin e parë kemi dërguar mbi 300 lëndë tek përmbaruesit të cilat janë mbyllur si lëndë, nuk po i përmend këto të cilat ende janë në shqyrtim ose janë dërguar në nivele të tjera nga vetë debitorët. Gjatë periudhës tjetër duke filluar nga muaji prill dhe maj është dyfishuar numri i lëndëve të dërguara dhe sigurisht që ka më shumë borxhli dhe më shumë vlerë financiare, ne po shfrytëzojmë të gjitha mundësitë duke i bërë thirrje përmes Qendrës së thirrjeve që të mos shkojnë në përmbarim por t’a paguajnë përmes kësteve tek ne”, ka thënë ai.

Xhafa ka shkruar se tutje ka treguar se Kompania Rajonale Ujësjellësi në baza mujore inkason  1.1 deri në 1.3 milion euro.

“Në baza mujore ne inkasojmë nga 1.1 deri në 1.3 milion euro. Tradicionalisht në të kaluarën ka qenë më pak se kjo, mirëpo edhe në vitin që shkojë edhe këtë vit inkasimi ka filluar dalë ngadalë dhe po rritet dhe do t’i ofrohet disa trendëve. Pjesa e bizneseve qëndron më mirë, pjesa e amvisërisë është më keq, por në baza mujore mund të themi nga 1.1 deri në 1.3 milion euro, bëjmë inkasime në baza mujore”, ka treguar Xhafa.

U.d i kryeshifit egzekutiv në këtë kompani ka treguar se me rritjen e çmimeve nuk është se vërehet ndonjë tendencë e rritjes së borxheve, dhe sipas tij është pak a shumë i njëjti trend, përveç kësaj ka raste kur disa muaj janë më mirë se sa vitet që shkojë.

“Rast konkret janë muajt shkurt dhe mars dhe pavarësisht ngritjes së çmimeve në produktet e tjera, çmimi i ujit vazhdon të jetë shumë i ulët dhe besojë që gjithë konsumatorët që kanë bërë shprehi të paguajnë, vazhdojnë të paguajnë ujin, ndërsa ata të cilët në një formë ose tjetër refuzojnë po mundohemi ti trajtojmë siç thotë ligji”, ka treguar ai.

Në emër të këtij institucioni Xhafa ka bërë apel tek konsumatorët e ujit që të kenë kujdes me keqpërdorimin e ujit në liqenin e Badovcit, teksa theksoi që ky liqen është në nivelet më të rënda në këtë stinë në trendët historike që kemi ne, ku arrin afërsisht minus 7 metra nga niveli i kapërdherdhjes.