Lajme

Udhëheqësi prorus i Bullgarisë refuzon të dërgojë avionë dhe tanke në Ukrainë

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev

Me rezervat e saj të armëve të epokës sovjetike, Bullgaria, shtëpia e një industrie të lulëzuar armësh, mund të jetë një aleat kyç i Ukrainës, e cila është trajnuar dhe pajisur me armë të tilla në luftën e saj kundër forcave pushtuese ruse.

Bullgaria aktualisht ka parlamentin e shpërbërë dhe do t’i zhvillojë zgjedhjet parlamentare me 2 prill të cilat janë zgjedhjet e pesta të parakohshme në dy vjet.

Në këtë kohë të pasigurisë politike, qeveria në detyrë nuk është në disponim që t’i ofrojë ndihmë me armë vdekjeprurëse Kievit.

Këtë e ka shfaqur edhe presidenti bullgar, Rumen Radev, i cili njihet për prirjet e tij në përkrahje të Kremlinit.

Radev, një ish-pilot i forcave ajrore, fuqizoi qëndrimin të ashpër më 21 mars, duke mos u bashkuar me një mori shtetesh të BE-së për të furnizuar Ukrainën me të paktën 1 milion predha artilerie gjatë vitit të ardhshëm.

“Bullgaria nuk mbështet dhe nuk është pjesë e urdhrit të përgjithshëm për furnizimin me predha Ukrainën”, tha Radev.

“Vendi ynë do të mbështesë përpjekjet diplomatike evropiane për të rivendosur paqen”, tha ai.

Radev shtoi gjithashtu se Bullgaria nuk do t’i japë Ukrainës avionë luftarakë, sisteme të mbrojtjes raketore ose tanke për sa kohë që qeveria aktuale e përkohshme është në pushtet.

/Shqip.com