Lajme

U akuzua për “izolim ndërkombëtar”, Osmani i quan kritikuesit si “recidivist të pushtetit”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Keqpërdorues recidicistë të pushtetit” i ka quajtur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, paraardhësit e saj, përcjell Shqip.com.

Këto deklarata ajo i ka bërë pas reagimeve të tyre ndaj shpenzimeve të publikuara të dielën nga Presidenca.

Lexo edhe:
Kupina publikon shpenzimet e Presidencës: Në vazhdimësi ka interes të madh për shpenzimet e presidentes

Përmes një postimi në Facebook, Osmani deklaroi se me reagimet e tyre, ata kanë tentuar të ndërtojnë narrativën se “shpenzimet shumëfish më të vogla të kabinetit të saj janë për shkak të izolimit ndërkombëtar”.

“Idetë për ndarje e defunksionalizim të Kosovës promovoheshin me para të taksapaguesve, ndërkaq sot në vend se të skuqen për gjithë dëmin e shkaktuar, dalin e ankohen pse Presidentja e sotme nuk po vepron sikur pushtetarët paraprak. Ta keni të qartë, ju nuk jeni standardi me të cilin ne e matim veten. Jeni shembull i modelit që nuk duhet ndjekur.

Kujdesi ndaj parasë publike dhe transparenca e plotë janë rruga e vetme përpara. E vërteta është se në vitin 2021, ne kemi realizuar më shumë aktivitete ndërkombëtare se sa në periudhat paraprake (pa pandemi), ndërkaq kemi shpenzuar shumëfish më pak”, shkroi ndër tjerash ajo.

Ndryshe, të dielën Bekim Kupina, këshilltar i Osmanit, ka publikuar shpenzimet e Presidencës gjatë vitit 2021.

Sipas të dhënave, Osmani ka harxhuar vetëm dy mijë e 714 euro për dreka dhe darka zyrtare gjatë vitit 2021.

Tutje, në bazë të të dhënave të publikuara, shihet se gjatë 2021-ës, presidentja ka shpenzuar 26 mijë e 172 euro për akomodim 35 mijë e 863 euro për udhëtim, jashtë vendit.

“Grafikat flasin vetë dhe shpërfaqin ulje drastike shpenzimesh në të gjitha kategoritë. Racionalizimi i shpenzimeve është parimi kryesor që e ka ndjekur Presidentja Osmani që nga dita e parë, fillimisht në Kuvendin e Kosovës e më pas në Presidencë”, shkroi ndër tjerash Kupina./SHQIP.com