Lajme

Tymuese dhe zjarr në Kuvend, dy deputetë të opozitës referohen në SPAK. Akuzat ndaj tyre

Skenat e ndodhura ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë seancës plenare, janë konsideruar vendngjarje për autoritetet ligjzbatuese.

Specialisti i Hetimit të Krimeve nga Komisariati nr.1, specialistë të Krimit kibernetik nga Drejtoria vendore e Policisë dhe ekspertë kriminalist kanë ishin në sallën e Kuvendit dhe mblodhën prova.

Për dy deputetët e opozitës, Flamur Noka dhe Albana Vokshit, mbështetës të Sali Berishës, do të referohen materiale në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), pasi ndezën flakadanë në seancën plenare të kësaj të hëne në Kuvend, por dhe u vunë flakën letrave.

Ndaj Nokës dhe Vokshit, janë dy akuza, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse djegëse dhe radioaktive”, parashikuar nga nenet 151 dhe 154 të Kodit Penal.

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës, kur pasojat materiale nuk janë të lehta, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Shkelja e rregullave të caktuara për mbajtjen, prodhimin, përdorimin, ruajtjen, transportimin dhe tregtimin e lëndëve plasëse, djegëse apo radioaktive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Lidhur me situatën e krijuar në Kuvendin e Shqipërisë ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Ai shprehet se përballë akuzave, deputeti nuk mund t’i shmanget ligjit për shkak të imunitetit parlamentar.

Kodi Penal përcakton qartësisht në nenet 151 dhe 154 veprat penale të shkatërrimit/dëmtimit me dashje të pronës me zjarr dhe me mjete të tjera, të cilat dënohen deri në pesë vite burg. Ndërsa këto akte të rënda janë referuar në mënyrë të përsëritur në Prokurori, institucioni i akuzës duhet të garantojë se ligji zbatohet njëlloj për të gjithë dhe deputeti nuk mund t’i shmanget ligjit kurrsesi, duke përfitur apo duke u fshehur pas imunitetit!”, shkruan Balla.

Ndërkaq, Ballës iu përgjigj Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD, duke deklaruar se interesi i qytetarëve e kërkon që aferat korruptive të Qeverisë Rama-Balla të hetohen, nga Parlamenti dhe nga drejtësia.

Edi Rama dhe Taulant Balla i kanë vënë zjarrin Shqipërisë prej 10 vitesh dhe e kanë shndërruar prej kohësh sallën e seancave plenare në një skenë krimi, ku kalohen ligje korruptive për të favorizuar përfaqësues të krimit të organizuar apo ortakët e tyre në biznes. Vetëm me kontratën e koncesionit të sterilizimit gjykata dhe prokuroria e posaçme kanë konstatuar se kanë vjedhur plot 60 milion euro. Vetëm me zgjatjen e afatit të ligjit për investimet strategjike i siguruat më shumë para një përfaqësuesi të krimit të organizuar në Shkodër që sot është në burg se ka urdhëruar vrasje. Vetëm me ndryshimet e ligjit të koncesioneve i hapën rrugë vjedhjes së miliona eurove me kontratat e inceneratorëve sipas interesit të Klodian Zotës dhe Mirel Mërtirit.

Këto janë skena krimi që kanë nevojë të hetohen nga drejtësia, jo karriget e opozitës në foltoren e Kuvendit. Boll u fshehët pas Gardës dhe boll u ankuat për protestën e opozitës në Parlament që shpreh mospajtimin me këto çështje. Interesi i qytetarëve e kërkon që aferat korruptive të Qeverisë Rama-Balla të hetohen, nga Parlamenti dhe nga drejtësia. Përmes mohimit të hetimit parlamentare, ju po kërkoni të shpëtoni nga transparenca dhe llogaridhënia, me besimin se do shpëtoni edhe nga drejtësia! Parlamenti nuk mund të jetë skenë krimi permanente ku ju miratoni ligje me porosi dhe më pas nuk lejoni opozitën të ushtrojë të drejtën e saj të kontrollit parlamentar mbi zbatimin e këtyre ligjeve. Kthimi në normalitet i Parlamentit kalon përmes respektimit të Kushtetutës. Në të kundërt, ju do ta vazhdoni ta trajtoni Kuvendin si sallë ku votoni për të pasuruar veten dhe varfëruar shqiptarët“, shprehet Bardhi.

E sotmja ishte një seancë plenare plot tension dhe kaos. Kuvendi mbylli punimet vetëm pas 15 minutash.

Nesër pritet që grupi parlamentar i PS të nënshkruajë kërkesën për përjashtimin e një grupi të deputetëve të opozitës.

Mbetet për t’u parë kjo nismë e PS dhe masa ndëshkimore qe do të propozohet për deputetët e përfshirë në skena kaotike.

/Shqip.com