Lajme

VIDEO/ Seanca e Kuvendit zgjat 15 minuta, mbyllet mes kaosit – deputetët e opozitës ndezin tymuese

Edhe seanca e Kuvendit e kësaj të hëne nisi mes kaosit total, pasi deputetët e opozitës ndezën tymueset, teksa godasin edhe tavolinat.

Ndërkaq, efektivët e Gardës së Republikës tentuan disa herë tua heqin flakadanët nga dora deputetëve.

Deputeti i PD-së, Flamur Noka është përpjashtuar nga Kuvendi pasi hodhi tymuese në sallën e Kuvendit.

Deputeti demokrat u përplas edhe me Gardën që tentuan t’i merrnin tymueset nga duart. Ishte kolegia e tij, Albana Vokshi që mbante tymueset në duar dhe refuzoi t’ia jepte gardës, duke ia dhënë Nokës.

Ndonëse situata në Kuvend nuk i ngjan atyre seancave të zakonshme, socialistët kanë vijuar me rendin e ditës, ku mbajtën disa fjalime, ndonëse duke hasur me protestën e opozitës.

Ndërkaq mes kaosit kryeparlamentarja Lindita Nikolla i tërhoqi vëmendjen ligjvënësit demokrat: “Flamur, thirri mendjes”, ishin fjalët e Nikollës drejtuar Nokës.

Gjithashtu, deputetët e opozitës ndezën edhe letra. Madje, në një moment, deputeti Flamur Noka letrat e ndezura tentoi t’i hedhë te karriget e grumbulluara në foltore, duke tentuar edhe djegien e tyre.

Ndërhyrja e Gardës shmangu një tentativë zjarrvënie në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.

Seanca e Kuvendit mbylli punimet pas saktësisht 15 minutave. Deputetët e opozitës, mbështetës të grupimeve të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit paralajmërojnë vazhdimin e aksionit të mosbindjes në komisionet parlamentare dhe sallat e Kuvendit.

/Shqip.com