Lajme Botë

Turqia i arreston 34 të dyshuar për lidhje me Shtetin Islamik

Policia turke duke qëndruar pranë kishës ku ndodhi sulmi më 28 janar në Stamboll.
Policia turke duke qëndruar pranë kishës ku ndodhi sulmi më 28 janar në Stamboll.

Autoritetet turke i kanë arrestuar të shtunën 34 njerëz të dyshuar për lidhje me Shtetin Islamik gjatë një operacioni të gjerë kundër grupit militant, tha ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya.

Të gjithë të arrestuarit gjatë këtij operacioni janë shtetas të huaj të kërkuar nga Interpoli, i cili ka kërkuar arrestimin e tyre, tha Yerlikaya në rrjetin social X.

Ai shtoi se policia turke gjithashtu ka konfiskuar disa revole të palicencuara.

Autoritetet turke i kanë shtuar operacionet kundër Shtetit Islamik, pasi dy pjesëtarë të këtij grupi e vranë një person në një kishë në Stamboll gjatë një meshe javën e kaluar.

Të premten, autoritetet ruke i arrestuan 25 të dyshuar në lidhje me sulmin kundër kishës.

Sipas ministrit turk të Drejtësisë, Yilmaz Tunc, në mesin e të arrestuarve janë edhe dy sulmuesit e dyshuar, që paraprakisht ishin kapur nga policia. Dy sulmuesit e dyshuar besohet se kanë lidhje me grupin militant, Shteti Islamik, tha Tunc përmes një postimi në X.

Të dyshuarit kryesorë janë shtetas të huaj, njëri nga Taxhikistani dhe tjetri nga Rusia, ka deklaruar më herët ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya.

Grupi militant, Shteti Islamik, ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, duke thënë se ai u krye në përgjigje të thirrjes së udhëheqësve të këtij grupi militant për të shënjestruar hebrenjtë dhe të krishterët.

Autoritetet kanë thënë se sulmi ka mundur të jetë më vdekjeprurës, por sulmuesve u është bllokuar arma.

Shteti Islamik i ka kryer një sërë sulmesh në mbarë Turqinë, përfshirë një më 2017 në një klub nate në Stamboll, kur u vranë 39 persona.

Sipas ministrit Yerlikaya, që nga qershori i vitit 2023, autoritetet turke kanë arrestuar 2.086 të dyshuar se kanë lidhje me Shtetin Islamik. /REL

/Shqip.com