Sport Shqiptar

Trofeu i UEFA Conference League ka arritur në Tiranë

Trofeu i UECL në Tiranë

Kupa prestigjioze e Konferencëligës ka ardhur në Tiranë.

Çmimi do t’i jepet fituesit të finales së parë të këtij kompeticioni, që luhet në mes Romës dhe Feyenoordit.

Ish-trajneri i kombëtares Lorik Cana, i shoqëruar nga presidenti i federatës shqiptare të Futbollit Armando Duka dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, kanë ekspozuar kupën në sheshin “Skënderbej”.

Armando Duka dhe Lorik Cana

Kupa do të qëndrojë për disa orë në shesh, për të gjithë dashamirësit e futbollit që duan të bëjnë një fotografi.

Veliaj i uroi mirëseardhje tifozëve të të dyja skuadrave dhe falënderoi qytetarët e kryeqytetit shqiptar për mikpritjen.

“Faleminderit të gjithë qytetarëve të Tiranës për mikpritjen fantastike që u kanë bërë atyre që kanë ardhur nga larg. Përshëndesim të gjithë ata që kanë ardhur nga Roterdami dhe nga Roma, mirë se erdhët në Tiranën tone! Shpresoj të kaloni sa më mirë dhe sigurisht të fitojë më i miri në finale, por mbi të gjitha të kalojmë bukur”, tha ai.

Erion Veliaj gjatë ceremonisë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj u shpreh se qyteti është përfshirë nga një valë organizimi për këtë festë të madhe dhe përmendi sërish tre fan zonat që do të presin tifozët që nuk kanë mundur të sigurojnë bileta.

Ai kujtoi se Amfiteatri Veror i Liqenit dhe pedonalja “Murat Toptani” do të kthehen në fan zone për tifozët e Romës dhe të Feyenoord, ndërsa sheshi “Skënderbej” do të presë tifozë neutralë, në mënyrë që edhe ata ta shijojnë ndeshjen me po të njëjtën atmosferë si në stadium.

Air Albania

Po ashtu, ai njoftoi se në Tiranë do të vijnë edhe dy kryetarët e bashkive të Romës dhe të Roterdamit, dhe se do të dalim me një deklaratë të përbashkët “për t’i treguar qytetarëve që vijnë nga Roma dhe Roterdami, se i respektojmë si miq”, tha ndër tjerash Veliaj.

Përndryshe, finalja luhet nesër, më 25 maj, me fillim nga ora 21:00, stadiumin “Air Albania”. /Shqip.com