Lajme

Trendafilova për media serbe: Së shpejti gjyqi i Thaçit dhe të tjerëve, një milion faqe dëshmi

Ekaterina Trendafilova - Kryetarja e Dhomave të Specialiuzra të Kosovës
Ekaterina Trendafilova - Kryetarja e Dhomave të Specialiuzra të Kosovës

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova ka thënë që së shpejti do të fillojë gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerve.

Në një intervistë për mediumin serb RTS, Trendafilova nuk ka specifikuar datë por ka thënë se bëhet fjalë për një çështje të gjerë për të cilën gjyqtarët janë duke punuar dhe ka mi një milion faqe prova.

“Do të fillojë gjykimi ndaj tyre sepse janë katër të akuzuar: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka dëshmi të shumta afër një million faqesh andaj gjyqtarët e procedurës paraprake janë duke punuar në mënyrë intensive”, tha Trendafilova.

Lidhur me raportin e Dick Martyt, Trendafilova ka thënë se aktakuza ngarkon secilin nga katër të akuzuarit me dhjetë pika por nuk mund të thotë se çka po heton Prokuroria.

“Aktakuza e ngarkon secilin nga të katër të akuzuarit me dhjetë pika dhe kjo e bënë procedurën mjaftë të vështirë dhe zgjatë shumë. Por nuk mund të ju them se çfarë është duke hetuar Prokuroria. Ne jemi organe të ndryshme siç është edhe sistemi i Kosovës dhe vendeve të tjera kurse, ne gjyqtaret vendosim për cilësinë e çështjes dhe vendosim për drejtësi”.

Ndërsa, për rezolutën e dërguar nga Shqipëria në këshillin e Evropës kundër raportit të Dick Martyt, Trendafilova tha se gjyqtarët nuk janë politikan dhe Dhomat e Specializuara nuk kanë instrumente ligjore për tu marrë me raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Sigurisht, të gjithë e dinë për këtë iniciativë të Kuvendit të Shqipërisë, por dua t’ju kujtoj parimet bazë – gjyqtarët nuk janë politikanë dhe as unë nuk jam politikan. Kam njohuri në fushën e drejtësisë. Dhomat e specializuara nuk kanë instrumente ligjore për t’u marrë me raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”

Trendafilova tha se nuk punojnë në kuadër të raporteve por në kuadër të aktakuzave.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, gjykatësja, Ekaterina Trendafilova, ka anuluar aktivitetin me shoqërinë civile i paraparë të mbahet në Gjilan më 21 shtator.

Ky vendim erdhi pas paralajmërimit për protestë nga Partia Socialdemokrate.

”Pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës së re të krijuar lidhur me protestat e paralajmëruara kundër aktivitetit me shoqërinë civile të mërkurën në Gjilan, me Kryetaren e Dhomave të Specializuara, Gjykatëse Ekaterina Trendafilova, sot u vendos që aktiviteti të zhvillohet përmes internetit”, thuhet në komunikatën për media.

Trendafilova ndodhet në Kosovë për të biseduar për punën e Dhomave të Specializuara dhe për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje që mund të kenë pjesëmarrësit.

Sipas Trendafiloves “një shkëmbim i tillë mund të zhvillohet vetëm në një mjedis të sigurt dhe konstruktiv”.

Theksojmë se kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj kishte kërkuar që protestës t’i bashkohen edhe veteranët e luftës.

Lexo edhe:

Trendafilova në Kosovë – PSD në protestë: Të bashkohen edhe veteranët

Gjatë një konference për media, Molliqaj kishte paralajmëruar protestë masive në shenjë njoftimi “se qytetarët nuk janë dakord me veprimet e Gjykatës Speciale”./Shqip.com