Tre persona të vrarë nga të shtënat në Bangkok të Tajlandës, arrestohet një 14-vjeçar
Tre persona janë vrarë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një qendër tregtare në qendër të kryeqytetit tajlandez, Bangkok.
I dyshuari, 14-vjeçar, është arrestuar. Ai dyshohet se e ka përdorur armën në incident. Në disa pamje në rrjetet sociale janë parë shumë njerëz duke ikur nga qendra tregtare.
Ky objekt, dhe një stacion i afërt metroje, janë mbyllur. Sulmet me të shtëna masive janë të rralla në Tajlandë, ndonëse përqindja e personave që posedojnë armë është relativisht e lartë për rajonin.
Në tetor të vitit të kaluar, një ish-zyrtar policor pati vrarë të paktën 37 persona, shumica prej tyre fëmijë, në një qendër për fëmijë në provincën Nong Bua Lamfu.
Më 2020, një ushtar i këtij shteti i ka lënë të vdekur 29 persona dhe i ka plagosur dhjetëra tjerë në qytetin Nakhon Ratçasima. /REL
/Shqip.com