Lajme Botë

Tre persona gjenden të vdekur në Angli, dyshohet se i ka shtypur një furgon  

Policia britanike në Notingam më 13 qershor 2023. Foto: AP
Policia britanike në Notingam më 13 qershor 2023. Foto: AP

Tre persona janë gjetur të vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar në Notingam, pasi një furgon ka tentuar që t’i shtypë. Policia britanike tha se ka arrestuar një të dyshuar, duke shtuar se dyshojnë se këto incidente janë të lidhura.

Qendra e Notingamit është mbyllur për publikun dhe ka prezencë të shtuar policore.

Një 31-vjeçar është arrestuar nën dyshimet për vrasje, tha policia.

Shefja e policisë në Notingam, Kate Meynell, tha se në këtë rast është përfshirë edhe ekipi kundër terrorizmit i policisë.

“Jemi në fazën e parë të hetimit dhe duhet të përcaktojmë motivet pas këtyre sulmeve”, tha ajo.

Ajo shtoi se aktualisht nuk besojnë se ndonjë person tjetër është përfshirë në këtë incident.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, falënderoi ekipet emergjente që trajtuan këtë “incident tronditës” në Notingam, që është shtëpi e më shumë se 320.000 banorëve.

Policia u thirr pak pas orës 04:00, pasi dy persona u gjetën të vdekur në rrugën Ilkeston, që gjendet në jug të qytetit.

Banorët raportuan se kanë dëgjuar të bërtitura dhe kanë parë një burrë dhe grua të re duke u therur, para se sulmuesi – që sipas dëshmitarëve ishte “një person me ngjyrë i veshur me rroba të zeza” – u largua nga vendngjarja.

Në rrugën Magdala u gjet edhe trupi i pajetë i një burri, tha policia.

Ndërkaq, sipas autoriteteve tre persona që u goditën me furgon në rrugën Milton, janë duke marrë trajtim mjekësor.

Personat që u shtypën me furgon ishin duke pritur në një stacion autobusi, thanë autoritetet britanike. /REL

/Shqip.com