Lajme

Trajkoviq: Kosova fitoi, Serbia humbi shansin për ta kushtëzuar për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq
Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq

“Është e padiskutueshme që Kosova fitoi duelin diplomatik për dokumentet”.

Kështu e komenton politikanja serbe, Rada Trajkoviq arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumente hyrje-dalje.

Sipas saj, ekipi i Serbisë “humbi shansin për ta kushtëzuar marrëveshjen për reciprocitetin të paktën me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

“Kurti është i guximshëm dhe nuk do të jetë edhe më i gatshëm për kompromis. Kjo duhet të shqetësojë të gjithë ata që kanë për qëllim një Kosovë multietnike”, ka shkruar ajo në Twitter.

Bashkimi Evropian njoftoi më 27 gusht se Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për eliminimin e lëshimit të dokumenteve për hyrje-dalje.

Lexo edhe:
Borrell: Serbia ka vendosur t’i pranojë dokumentet e Kosovës

Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes.

Këtë praktikë Serbia e kishte aplikuar qe 11 vjet, ndërkaq Kosova lëshoi dokumente të tilla për disa orë gjatë 1 gushtit.

Ndërkaq, më 1 shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat e makinave. Ky vendim konsiston në riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia.

Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe./Shqip.com