OP-ED Kolumne Pak orë më parë, një nga futbollistët më të talentuar, i cili luante në Superligë, lojtar i Egnatias u nda nga jeta. Raphael Dwamena, lojtar i përfaqësueses së Ganës, ndërroi jetë pas një ataku kardiak në fushën e futbollit

Tragjedia e një ‘të panjohuri’, emigrantët dhe paradoksi i jetës sonë

Ben Andoni
Ben Andoni

Publikuar:

Pak orë më parë, një nga futbollistët më të talentuar, i cili luante në Superligë, lojtar i Egnatias u nda nga jeta. Raphael Dwamena, lojtar i përfaqësueses së Ganës, ndërroi jetë pas një ataku kardiak në fushën e futbollit. E përfundoi jetën aty, ku thurte me gjasë të gjithë ëndrrat e tij për të ardhmen, kushedi se në çfarë kampionati cilësor evropian. Me një profil të spikatur në jetën sportive shqiptare, i ndjeri tregoi menjëherë cilësitë e larta si golashënues, me golat e shënuar në Superligë dhe lojën.

Ashtu, si ndodh pas ngjarjeve të tilla, pas ditirambeve për të ndjerin do të nisin mbase dhe problematika për peshën e stërvitjes, nivelin dhe mungesën e kontrollit të duhur mjekësor. Në fakt, situata të tilla janë shumë e më shumë të pranishme, por në këtë rast janë të tepërta. Iku një njeri.

Eriksen, futbollisti i përfaqësueses së Danimarkës dhe lojtari United u përplas njësoj në fushë, por mbase një varg më i shumtë mundësish dhe arsyesh e mbajtën në jetë. Duke ndarë një ngushëllim të sinqertë për familjen e lojtarit, një gjë të vjen ndërmend në këto ditë mbushur me mllefe për emigrantët, kampet e parafolura të Shqipërisë, politikat: Jeta është fare e shkurtër. Dwamena na e konfirmoi në vitin e 28-të të jetës.

Dhe, kjo është tragjedi e vërtetë, jo ata që paraqiten në SPAK prej korrupsionit të frikshëm dhe, ata që përfundojnë pas hekurave prej zullumeve, që as vetë nuk i marrin me mënd. Këtë duhet të kuptojnë sot politikanët për atë nivel frikshmërisht të egër, që i kanë dhënë në tre dekadat e fundit shoqërisë shqiptare. Urrejtje; ofendime; blasfemitë, që nuk rreshtin; protagonizmi i lodhshëm i Ramës; monotonia dhe cinizmi i retorikës së Berishës dhe lajmet pafund të krimeve (shoqëria jonë i prodhon me aq shumë dëshirë dhe me një panginje për të dëgjuar të keqen) na tregojnë sesa pak e respektojmë jetën. Duket sikur ne mendojmë për një përjetësi, ndërkohë që jemi thjesht kalimtarë në këtë jetë.

Pa dashur të shkojmë në përcaktime filozofike: Mendimtarët arrijnë shpesh të gjithë afër një përcaktimi: Ironia e jetës sonë është të çlirohemi nga ankthi i vdekjes dhe mbi të gjitha llahtarit të zhdukjes së plotë, që shpesh na vinë para syve. Edhe nëse artikulohet si leksik nga gjithnjë e më shumë prej disa politikanëve tanë, duket se më shumë bëhet si ngjyresë për të treguar “koncepte” të tyre sesa realisht konkluzione që vijnë pas gjykimeve. Ja pse mbase ofendimi është i natyrshëm tek ne, protagonizmi fals aq bezdisës, retorikat aq boshe për demokracinë, kurse rendja pas një zhurmnaje për parimet, një frikë reale për t’i shpëtuar asaj të pashpëtueshmes.

Në Urdhrin e tij, Shën Benedikti i kërkoi njëherë murgut, që e shoqëronte më së shumti në rravgimet e tij që “ta mbante vdekjen çdo ditë para syve”. Sipas tij, kujtimi i vdekjes na ndihmon të jetojmë më mirë në këtë jetë dhe është më efektive kur bëhet çdo ditë. Kaq mund të mjaftonte për këtë dhunë verbale dhe joverbale, që e shoqëron jetën tonë për çdo ditë dhe ku politikanët, atyre që u delegojmë votën, nuk na e plotësojnë dot qetësinë dhe një jetë normale. Ne jetojmë paradoksin e pakuptimit të jetës, duke i ikur nga frika vdekjes dhe jo duke e pritur, siç na takon.

Vetëm, se një vdekje e tillë si e talentit Dwamena të trand, për të fillimisht, pastaj të rinjtë si ai, njësoj edhe për emigrantët e shumtë që edhe në fatkeqësinë e ikjes, bëhen ushqim propagandë për protagonizmin e politikanëve.

/Shqip.com