Sport Shqiptar

Topalli pas dy golave ndaj Fenerbahçes, fiton vend në 11-shen më të mirë të javës në Turqi

Sulmuesi kosovar, Jetmir Topalli, të dielën mbrëma realizoi dy herë ndaj skuadrës së madhe turke, Fenerbahçe.

Skuadra e Topallit, Istanbulspor, pësoi me rezultatin 5:2 në kuadër të xhiros së 12-të të Superligës së Turqisë në futboll.

Topalli është shpërblyer duke u përzgjedhur në 11-shen e javës nga mediet turke, shkruan Shqip.com.

Futbollisti nga Kaçaniku ka shënuar tre gola në 11 paraqitje këtë edicion në elitën e Turqisë.

Istanbulspori është kthyer në Superligë. Edicionin e kaluar garoi në kategorinë e dytë, ndërsa Topalli kishte nëntë gola e pesë asistime në 30 paraqitje. Në edicionin 2020/2021 ai ishte tek Yeni Malatyaspor, ndërsa në 13 paraqitje realizoi një gol. Në Turqi ishte transferuar pas shkëlqimit te Ballkani. Në Kosovë ka luajtur edhe për skuadra të tjera.

Istanbulspori është i parafundit në Superligë, ndërsa e pret betejë e madhe deri në fund për të mbetur në elitë.

24-vjeçari ka luajtur në tri miqësore me Kosovën, por deri më tani nuk ishte në planet e selektorit Alain Giresse.

/Shqip.com