Lajme

Tolaj për deklarimet e Bamieh: Lehje e një qeni të gjinisë femërore, përgjigjen e ka dhënë gjykata

Ish-sekretari në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj

Ish prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh ka thënë sot se me autorizim gjykate e kishte përgjuar Tolajn në kohën sa ishte në paraburgim dhe se ndërmjetësuesit e tij ishin takuar me gjyqtarin e rastit, Francesco Flori, ku i kishin ofruar para që ta paguanin lirimin e Tolajt dhe mbylljen e rastit.

E në lidhje më këto deklarata tashmë ka reaguar edhe ish-sekretari në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj, i cili tha se  “përgjigjen më së miri e ka dhënë aktgjykimi i gjykatës, një aktgjykim i formës së prerë, i plotfuqishëm, ku jam shpallë i pafajshëm për krejt pikat e akuzës”.

Lexo edhe:
Prokuroria në Prishtinë tregon pse e ftuan për intervistim ish-prokuroren e Eulex-it

Tolaj, Bamiehn e cilësoi si “plloçë e prishur e gramafonit”, teksa shtoi se fjalët e saj nuk i ngjasojnë me asgjë tjetër “pos një lehje e një qeni të gjinisë femërore, e sëmurë dhe fatkeqësisht prognozë të keqe”.

“Deklarimet e saj të sotme ashtu edhe si shumë herë të përsëritura, tregon se kemi të bëjmë me një person që mendërisht është jo stabil, ndërsa profesionalisht i dështuar, si e tillë tani qenë satisfaksionin për të gënjyer opinionin duke dashur që të paraqesë se kinse e gjithë bota është kundër saj e që në fakt është ajo armiku më i madh i vetvetes, por edhe armiku më i madh i të vërtetës, në anën tjetër veprimet e saj të sotme por edhe më herët janë veprime të dënuara me ligj”, është shprehur Tolaj për KK.

Tutje, ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë tha se Bamieh kishte anshmëri në gjykim, qëllime të ulëta dhe “të sëmura në raport me mua”.

“Kjo është vërtetuar në aktgjykim e parë, nga gjykatësit e EULEX-it, krejt përpjekja e saj ka qenë e drejtuar ndaj një personi Ilir Tolaj. Në disa raste që janë të vërtetuara në procesverbale, sa herë dëshmitarët e prokurorisë sa herë kanë dashur të flasin për keqpërdorime në MSh, pyetja ka qenë a ka qenë Ilir Tolaj sekretar, nëse jo ka thënë se nuk më intereson”, është shprehur Tolaj.

Ndryshe në lidhje me këto deklarata ka reaguar edhe Zyra e EULEX-it.

Lexo edhe:
EULEX reagon ndaj ish-prokurores Bamieh: Akuza, thashetheme dhe përgojime të pabazuara

Në reagimin e tyre thuhet se ish-prokurorja Bemieh ka përsëritur akuza, thashetheme dhe përgojime të pabazuara.

“Në konferencën e sotme për shtyp, ne kemi dëgjuar Maria Bamieh duke përsëritur akuza, thashetheme dhe thashetheme të pabazuara. Bamieh nuk ka paraqitur asnjë provë të re. Provat e mbledhura gjatë hetimeve të bëra nga Zyra e Kryeprokurorit të Kosovës gjatë vitit 2016 nuk kanë vërtetuar ndonjë shkelje nga ish-gjyqtari i EULEX-it në qendër të këtyre akuzave”, thuhet në reagimin e EULEX-it.

Tutje thuhet se rasti i Bamieh kundër EULEX-it në Britani të Madhe ishte hedhur poshtë në vitin 2018./SHQIP.com