Lajme

Prokuroria në Prishtinë tregon pse e ftuan për intervistim ish-prokuroren e Eulex-it

Ish-prokurorja e Eulexit, Maria Bamieh

Ish-prokurorja e Eulexit, Maria Bamieh përmes një statusi në rrjetin social në Facebook, ka thënë se ka marrë ftesë nga ana e Prokurorisë së Shtetit të Kosovës lidhur me deklaratat e saja gjatë një konferencë për media.

Ajo ka folur për përfshirjen e zyrtarëve të EULEX-it në afera për mbylljen e rastit penal kundër Ilir Tolajt dhe për rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraça” , ndërsa menjëherë pas përfundimit të konferencës, ajo mori ftesë për intervistim nga Prokuroria në Prishtinë.

SHQIP.com ka kontaktuar me zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, e cila tha se ftesa është bërë për shkak të pamundësisë për sigurimin e deklaratës së Bamieh viteve të kaluara.

“Mund t’ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të pamundësisë për sigurimin e deklaratës nga znj. Maria Bamieh viteve të kaluara, i ka bërë ftesë për intervistim të njëjtës, pas zhvillimit të konferencës së sotme”, ka thënë Ulaj.

Ndryshe, Bamieh është shprehur e gatshme për intervistim.

Në një konferencë për media Maria Bamieh,  tha se derisa punonte si prokurore në EULEX, kishte alarmuar për dyshime për korrupsion brenda këtij misioni ndërkombëtar.

Ajo kishte hetuar një rast në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas prokurores, Tolaj posedonte telefon në burgun në të cilën ndodhej.

Sipas prokurores i përfshirë në këtë rast ishte edhe ish-kryeprokurorja e EULEX-it, Jaroslava Novotna dhe ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Francesko Florit, të cilët kishin rënë në përgjim të Task Forcës kundër korrupsionit duke komunikuar dhe takuar sekserë të ndryshëm./Shqip.com